Hovenier: S'mund të ketë anëtarësim të përshpejtuar në NATO pa u adresuar shqetësimet e disa shteteve anëtare
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se nuk ekziston ndonjë mundësi e shpejtë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, dhe se për këtë do të kërkohet “durim dhe punë e vështirë”.
Hovenier përmendi skepticizmin e disa shteteve evropiane për këtë çështje pa u adresuar disa nga shqetësimet e tyre siç janë marrëdhëniet me Serbinë.
Në këtë kontekst, ambasadori amerikan theksoi përpjekjet e ShBA-së për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar në procesin e dialogut.
“Pra, në rastin e Kosovës, qëndrimi i SHBA-së është i qartë. Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen. Ne e mbështesim këtë dhe e mbështesim fuqimisht. Dëshirojmë ta shohim Kosovën duke përparuar. Ka anëtarë të NATO-s që nuk e kanë atë pikëpamje tani. Ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u treguar atyre se kjo është rruga e duhur përpara është të adresohen shqetësimet e tyre. Disa nga shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me natyrën e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Prandaj ne kemi bërë një përpjekje të tillë për të mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të ndihmuar në arritjen e një marrëdhënieje tjetër, një marrëdhënie të ri-pozicionuar mes Kosovës dhe Serbisë që adreson disa nga shqetësimet e shteteve anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën ose kanë shqetësime të tjera. Pra, kjo do të thotë që kërkohet durim. Do të thotë që kërkohet punë e vështirë. Por, nuk ka asnjë mundësi të shpejtë që vetëm pse po përballeni me një kërcënim, atëherë duhet të bëheni anëtar i NATO-s. Thjesht, nuk funksionon kështu.” – tha Hovenier.