Hoti: Britania e Madhe dhe disa vende të BE-së ulën tarifat në fatura të energjisë, në Kosovë ndodh e kundërta - NACIONALE

Hoti: Britania e Madhe dhe disa vende të BE-së ulën tarifat në fatura të energjisë, në Kosovë ndodh e kundërta

5 orë më parë

nga NACIONALE

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se derisa në disa vende të BE-së dhe Britani të Madhe po ulen tarifat në faturat e energjisë, në Kosovë po ndodhë e kundërta.

Hoti në një shkrim në Facebook, ka thënë se energjia është shtrenjtuar disa herë dhe mosveprimet e Qeverisë kanë lënë pasoja afatgjata.

“Kur çmimet e të mirave elementare, siç janë energjia, rriten përtej trendit të zakonshëm dhe të pritshëm vjetor, zakonisht familjet i ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare. Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre”, ka thënë ai.

Tutje, Hoti ka thënë “qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve”.

Lajme të ngjashme