Haradinaj: Vendimi i GjND-së një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë, vulosi shtetësinë e Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 22 korrikun, ditën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj e cilësoi vendimin e GjND-së si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Sipas tij, shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 u vulos me opinionin këshillëdhënës të GjND-së më 22 korrik 2010, duke konfirmuar shtetësinë dhe të drejtën e Kosovës të fituar me luftën çlirimtare.
“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) është një nga momentet më të rëndësishme në historinë tonë të shtetësisë dhe shtetndërtimit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 u konfirmua nga GjND më 22 Korrik 2010, e cila vulosi shtetësinë dhe të drejtën tonë të fituar me luftën çlirimtare, një hap ky i rëndësishëm drejt afirmimit të shtetit tonë sovran. Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë vlerat perëndimore dhe të thellojë partneritetin e saj me miqtë dhe aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rrugë e vetme për të arritur qëllimet tona si shtet”, ka shkruar ai.