Gjini në Odën Amerikane: Kyçja në rrjetin e gazit amerikan është jetike për zhvillimin e Kosovës
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ku kanë diskutuar për mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjini theksoi se zhvillimi ekonomik kërkon politika që garantojnë siguri afatgjatë energjetike dhe furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike. Sipas tij, gjatë takimit është vlerësuar se kyçja e Kosovës në rrjetin e gazit amerikan është me rëndësi jetike për të ardhmen energjetike dhe ekonomike të vendit.
Ai shtoi se bashkëpunimi me Odën Amerikane dhe organizatat e tjera biznesore është thelbësor, duke e cilësuar sektorin privat si motorin kryesor të ekonomisë së Kosovës.