Gërvalla uron kryetaren e Guxo në Prishtinë: Jeta Statovci është ndër deputetet më të spikatura në Kuvend - NACIONALE

Gërvalla uron kryetaren e Guxo në Prishtinë: Jeta Statovci është ndër deputetet më të spikatura në Kuvend

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Listës Guxo, Donika Gërvalla, e ka uruar deputeten Jeta Statovci e cila sot u zgjodh kryetare e degës së partisë në Prishtinë.

Gërvalla përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se Statovci është një ndër deputetet më të spikatura të Kuvendit të Kosovës.

“Guxo është sinergjia e natyrshme në njërën anë e atyre që me dekada qëndruan në skenën politike të Kosovës, pa u përkulur asnjëherë dhe pa u bërë asnjëherë vegël në dëm të interesave të vendit dhe në anën tjetër e atyre që, në kërkim të një alternative të qëndrueshme dhe bashkëkohore politike, gjetën për herë të parë hapësirën e nevojshme për t'u angazhuar për herë të parë në skenën politike të Kosovës dhe për të bindur të gjithë skeptikët që politika mund të bëhet edhe me nder dhe faqe të bardhë”, ka thënë tutje ajo.

Postimi i plotë i ministres Gërvalla:

Urime kryetare Jeta

Sot, me votën e mbi 270 delegatëve, Kuvendi i degës së Partisë Guxo në Prishtinë, në një atmosferë solemne dhe me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme zgjodhi kryetaren, kryesinë dhe delegatët e kuvendit qendror.

Kryetarja e sapozgjedhur e degës së Prishtinës, deputetja e Kuvendit të Kosovës Jeta Statovci, jo vetëm që është një ndër deputetet më të spikatura të Kuvendit, por me profesionalizmin, modestinë, integritetin personal dhe paraqitjet e saj të guximshme, ndoshta më së miri ndihmon të kuptohet se çfarë është Partia Guxo.

Guxo është sinergjia e natyrshme në njërën anë e atyre që me dekada qëndruan në skenën politike të Kosovës, pa u përkulur asnjëherë dhe pa u bërë asnjëherë vegël në dëm të interesave të vendit dhe në anën tjetër e atyre që, në kërkim të një alternative të qëndrueshme dhe bashkëkohore politike, gjetën për herë të parë hapësirën e nevojshme për t'u angazhuar për herë të parë në skenën politike të Kosovës dhe për të bindur të gjithë skeptikët që politika mund të bëhet edhe me nder dhe faqe të bardhë.

Kryetares së sapozgjedhur Jeta Statovci dhe degës së Partisë Guxo në Prishtinë suksese në detyrën e marrë dhe rrugën e nisur. Së bashku do të punojmë, së bashku do të përballojmë të gjitha sfidat që kemi përpara dhe së bashku do të fitojmë. Çdo ditë e më shumë.

Lajme të ngjashme