Gazi lotësjellës në Kuvend: Dënohen me nga 1 vit burgim me kusht Haskuka, Pantina, Haxhiu e Hoti - NACIONALE

Gazi lotësjellës në Kuvend: Dënohen me nga 1 vit burgim me kusht Haskuka, Pantina, Haxhiu e Hoti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Mytaher Haskukës, Enver Hotit, Shqipe Pantinës dhe Teuta Haxhiut, duke i dënuar secilin veç e veç me nga 1 vit burgim me kusht, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Kamberi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Enver Hoti, dënohet me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Po ashtu, Haskuka, u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Tutje, Pantina u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Njësoj u dënua edhe Haxhiu, me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Obligohen që secili vec e vec, të paguajnë paushallin gjyqësor në shumën për 50 euro, ndërsa nga 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Paraprakisht, në seancën e mbajtur në po të njëjtën ditë të akuzuarit Hoti, Pantina, Haskuka e Haxhiu pranuan fajësinë për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, edhe pse në fillim të seancës të njëjtit u deklaruan të pafajshëm.

Mirëpo, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij, avokatin Haxhi Millaku, i akuzuari Hoti, pranoj fajësinë për veprën që i vihej në barrë.

“Pas pauzës patëm kohë të mjaftueshme që gjykata na ofroi mundësinë për t;u konsultuar dhe ne i sqaruam të gjitha dilemat qoftë në aspektin procedural dhe të ligjit material, me të mbrojturin tim, i cili pranoi këshillën e mundësisë ligjore që në këtë çështje penale sipas akuzës me numër e datë, vendosëm që të pranojmë fajësinë”, tha avokati Millaku.

Po ashtu, fajtorë u deklaruan edhe të akuzuarit tjerë, Pantina, Haskuka dhe Haxhiu.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, u pajtua edhe prokuroja Fatmire Cacaj, të cilin më pas e ka aprovuar gjykatësi Kamberi./Betimi për Drejtësi.

Lajme të ngjashme