Eskalojnë tensionet: Pakistani e tërheq ambasadorin nga Irani dhe e dëbon ambasadorin iranian pas sulmit ajror
Pakistani tha të mërkurën se do ta tërheqë ambasadorin e vet nga Teherani pas shkeljes së hapësirës ajrore pakistaneze nga vendi fqinj, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme.
Përpos kësaj mase, Pakistani nuk do ta lejojë as kthimin e ambasadorit iranian në Islamabad, i cili ndodhet për vizitë në atdheun e tij, thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, raporton agjencia “Reuters”.
Ajo tha se shkelja e hapësirës ajrore ishte shkelje e paprovokuar dhe flagrante e sovranitetit të Pakistanit dhe se një gjë e tillë është e papranueshme.
“Pakistani e rezervon të drejtën për t’iu kundërpërgjigjur këtij akti ilegal”- shtoi zëdhënësja pakistaneze.
Sipas autoriteteve pakistaneze, sulmi ajror i Iranit e ka shkaktuar vdekjen e dy fëmijëve.
Mediat shtetërore iraniane thanë të martën se në shënjestër të sulmit me raketa ishin dy baza të grupit militant “Jaish al Adl”, i cili ka kryer sulme ndaj forcave iraniane të sigurisë në zonën kufitare mes dy shteteve.