Eqrem Avdullahu pranon fajësinë për kanosje ndaj Hysni Gucatit: Kërkon falje para gjykatës
Eqrem Avdullahu, i akuzuar për kanosje ndaj kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka pranuar fajësinë.
Në seancën e sotme, para trupit gjykues, ai ka kërkuar falje.
“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, ka thënë Avdullahu.
Kurse, avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, ka deklaruar se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese.
“Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, ka thënë ai, raporton EO.