Dyshohet se lëshoi leje për pesticide të ndaluara, ndalohet një zyrtar në Kosovë - NACIONALE

Dyshohet se lëshoi leje për pesticide të ndaluara, ndalohet një zyrtar në Kosovë

4 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar një zyrtar i cili dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Tutje thuhet se hetimet kanë të bëjnë me dyshimet se zyrtari në fjalë, me inicialet N.M., ka lëshuar leje për disa operatorë ekonomikë për importimin e disa produkteve biocide dhe pesticideve që janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ndalon një person për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”

Prishtinë, 21 korrik 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se, në koordinim me Policinë e Kosovës, më konkretisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar – tejkalim të kompetencave dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, sot është arrestuar një (1) person.

Sipas të dhënave fillestare, hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për lëshimin e lejeve për disa operatorë ekonomikë për importin e produkteve biocide dhe pesticideve, të cilat janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.

I dyshuari me inicialet N.M. po hetohet për veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe Falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 i KPRK-së.

Arrestimi është realizuar nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Lajme të ngjashme