Duke përmendur Rugovën, ambasadori suedez kërkon kompromis për zgjedhjen e presidentit
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online se Kosova duhet ta zgjedhë sa më shpejt presidentin ose presidenten e vendit, duke theksuar se ky proces kërkon kompromis politik, edhe nga partia që ka dalë e para në zgjedhje.
Westerlund iu referua edhe përvojës së ish-presidentit Ibrahim Rugova, partia e të cilit kishte fituar mbi 40 për qind të votave. Ai kujtoi një episod të treguar nga bashkëpunëtorët e Rugovës, sipas të cilit, pavarësisht rezultatit të lartë zgjedhor, LDK-ja nuk i kishte votat e nevojshme për ta zgjedhur e vetme presidentin.
Sipas ambasadorit suedez, politikanët duhet të kenë parasysh përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarëve dhe të punojnë për krijimin e institucioneve funksionale.
“Mendoj se të gjithë politikanët janë zgjedhur nga qytetarët dhe duhet ta kenë parasysh se kjo nuk është një lojë. Bëhet fjalë për t’i shërbyer popullit, dhe për këtë arsye duhet të ketë një qeveri. E kuptoj se nëse përfaqëson partinë më të madhe politike ose nëse ke shumicën në parlament, duhet të jesh në gjendje të formosh qeverinë dhe të vazhdosh me mandatin që të është dhënë. Por, sigurisht, duhet të zgjidhet edhe presidenti, dhe për këtë nevojiten kompromise Më është thënë se pas zgjedhjeve të para pas luftës së vitit 1999, presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, kur LDK-ja fitoi rreth 42–45% të votave, thuhet se kishte thënë ‘Tani mund ta formojmë qeverinë, mund ta zgjedhim presidentin dhe mund ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit’. Dhe unë kuptoj se disa nga këshilltarët e tij të asaj kohe, përfshirë të ndjerin Alush Gashi, i kishin thënë ‘Shikoni, ne nuk e kemi shumicën. Nuk e kemi shumicën në parlament dhe nuk i kemi dy të tretat e votave për ta zgjedhur presidentin’. Pra, duhet të bëhen kompromise, edhe nëse je partia më e madhe politike”, tha ambasadori suedez.