Çitaku: Suksesi i vetëm i Qeverisë Kurti është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro
Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka folur për Qeverinë e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Në konferencë, Çitaku ka vlerësuar se “suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj”.
Tutje, Çitaku kishte kritika edhe për mënyrën se si Qeveria Kurti e bëri dialogun në Bruksel.
“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”, theksoi ajo.