66-vjeçarja në Ferizaj plagoset deria po ecte, policia arreston 23-vjeçarin
Një grua 66-vjeçare është plagosur me armë zjarri të premten pasdite në fshatin Greme të Ferizajt.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 17:00, në rrugën “Shabi Hashani”, teksa gruaja ishte duke ecur. Ajo ka pësuar lëndime të lehta në këmbë dhe më pas ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Ferizajt.
Pas hetimeve fillestare, Policia ka identifikuar të dyshuarin, A.H., 23 vjeç. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia ka sekuestruar një pushkë gjahu dhe një fishek.
“I dyshuari A.H. është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku, në prani të avokatit mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin, është intervistuar nën dyshimin për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetim për procedura të mëtejshme”, thotë Policia.