'Vlej do milionë, ti as ni trohë': Dissi i Unikkatilit që e bëri Feron t'i rrahë qytetarët në veturë
Fero u arrestua sot, pas një nate e dite të gjatë për të. Rrahu ca persona në veturë, u fut në TikTok për të humbur një lojë me Aleks Vishajn, dhe përfundoi i arrestuar ditën tjetër.
Policia fillimisht e kishte të paqartë lokacionin se ku ka ndodhur incidenti, siç e pranoi për Nacionalen zëdhënësi i këtij institucioni për Komunën e Gjilanit, Ismet Hashani, para se të reagonte e ta arrestonte në mesditën e së hënës.
Nacionale ka kontaktuar me avokatin e të dyshuarit, Fero, për të marrë më shumë detaje rreth incidentit dhe të bëmave që erdhën deri te ky incident.
Po del të jetë se një këngë e Unikkatilit ka qenë mollë sherri e përplasjes që ka ardhur si rezultat i provokimeve që kanë ardhur nga tre personat brenda veturës të tipit Golf 6, siç shihet në pamje.
Egzon Halimi, avokati mbrojtës i Feros, ka thënë për Redaksinë tonë:
"Ai (Fero) e ka pasë ni nejë me do fëmijë, para banesës së vet, edhe do djem të rinj kanë shku aty e kanë fy, e kanë sha, por ky nuk ka reagu. Herën tjetër kur janë kthy (viktimat) e kanë lëshu një kangë të Unikkatilit, ku ai po e ofendojka diçka këta (Feron). Atë kangë e kanë lëshu me zë të lartë, Fero u nervozu edhe u shku i ka sulmu në afekt."
I njëjti potencoi për Redaksinë se bëhet fjalë për tre persona që gjendeshin në makinë në momentin e sulmit, derisa Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, përmendi dy persona me inicialet E.E. dhe L.E. si viktima.
Ende nuk dihet për masën që do t'i shqiptohet zotit Fero, por gjithçka do të mësohet brenda 48 orëve, gjithnjë sipas Kadriut.
Cila këngë e Unikkatilit e detyroi Feron të rrihte njerëz?
Epo, kjo është goxha e lehtë për mua si gazetar, pasi hoqa të zitë e ullirit për të gjetur identitetin e avokatit mbrojtës të Feros.
Sigurisht bëhet fjalë për këngën "po eci" të Unikkatilit, i cili u pranua si diss direkt nga Fero, me këtë të fundit që reagoi pastaj me një diss të tij, e që ishte absolutisht i tmerrshëm, e drejtë të themi.
Tash, "po eci" nuk etiketon asnjëherë Feron me emër, por, sidoqoftë, reperi nuk ka hezituar të vijë në përfundim se ishte menduar për të, më së shumti për shkak të vargjeve të mëposhtme që i pështyn Unikkatili:
Mu picamen, s'je n'veti jo
Qata nuk kom folë se shihet me kohë
Vlej do milionë, p*dh ti asni trohë
Ça merr n'koncert, unë lypsav i dho
Të shumtë kanë qenë zërat se kjo pjesë ka qenë diss për Feron apo edhe për kundërshtarë të tjerë të Unikkatilit në botën e hip-hopit, me Dudën që është një prej tyre e që në të kaluarën vazhdimisht i është drejtuar Katilit si "picamen".
Sidoqoftë, pas kësaj kënge, Fero kishte reaguar menjëherë me një përgjigje, gjë që i vë dritë të qartë faktit se ai është i bindur se vargjet janë për të.
Tutje, Unikkatili te "po eci" thotë:
Ngushëllime për trillime që i bone
Kokaina ta ka mbushë krytë kërrnome
Tash, përkundër që "po eci" është larg standardeve të vendosura nga Unikkatili ndër vite, prapë mbetet vite drite larg dissit që erdhi si përgjigje e Feros, "BMW", e për të cilin Nacionale ka bërë një analizë të detajuar.