Sunny Hilli në Krushë të Madhe: Festivali gjigant në katund, kërkesa përkrahet nga kryetari dhe hoxha - NACIONALE

Sunny Hilli në Krushë të Madhe: Festivali gjigant në katund, kërkesa përkrahet nga kryetari dhe hoxha

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Dua Lipa ishte përkrahëse e zëshme e stories së gruas nga Krusha e Madhe e cila theu barriera shoqërore për të nisur biznes fitimprurës për gratë e katundit të saj. Andaj, kërkesa që Sunny Hill të mbahet në këtë vend, e ka një farë logjike të pranueshme.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Rahovec, Sejfullah Sejfullahu - në mesin e katrahurës që shkaktoi zhvendosja e festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë - reagoi me një kërkesë për kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, të cilit i kërkon të kontaktojë "bordin e festivalit, gjegjësisht z. Dukagjin Lipa, e ta ftojë që festivali të mbahet në Komunën tonë, konkretisht në Krushën e Madhe".

Në kërkesën e tij simpatike, Sejfullahu nënvizon "përvojën në organizimin e festivaleve të shumta në Komunën tonë, siç janë Hardh Festi dhe Agro Festa".

Nacionale mendoi se ishte ide e mirë të kontaktonte me asamblistin në fjalë për të marrë informacione shtesë nga kërkesa e tij ambicioze por edhe e logjikshme.

"Ju informoj me përgjegjësinë më të madhe se kërkesën nuk e kam ba sa për sy e faqe, por me përgjegjësinë dhe seriozitetin më të madh, ngase edhe kemi vendin pothuajse dhe infrastrukturën", tha ai në një bisedë virtuale.

Tutje ai, duke nënvizuar seriozitetin e kërkesës, zbuloi se ka fituar përkrahjen edhe të figurave që është e vështirë t'i keni në anën tuaj në këso lloj iniciativash, e që është hoxha i katundit.

"Para se me bë këtë propozim e kam mendu mu konsultu edhe me faktorë tjerë. Besoni, edhe nga imami i fshatit e kemi përkrahjen," tha ai.

Duke tentuar ta mbajë anonim "se i gjuhën fill", ai refuzoi të jepte numër kontakti të hoxhës, nga i cili isha i interesuar të dëgjoja më shumë.

Ideja e Sejfullahut potencialisht nuk do të materializohet kurrë por gjithsesi është për t'u admiruar vullneti dhe iniciativa.

Nacionale ka kontaktuar edhe me kryetarin, Latifi, i cili mirëpriti “një takim me Dukagjin dhe Dua Lipan”, qartazi duke e ditur se gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla, më e pakta që mund të themi.

“E vërtetë është që ne kemi përvojë në organizimin e festivaleve. Nuk është se kam kontakte personalisht me Dukagjin Lipën, po ne e mirëpresim në Krushë dhe e mirëpresim një takim me Dukagjinin, Dua Lipën dhe krejt ekipin e tyre”.

Mirëpo, Sejfullahu pretendon të shfrytëzojë lidhjet e bashkëvendases së famshme të tij, Fahrije Hoti, e cila ka marrëdhënie personale me njeriun kryesor prapa Sunny Hill, Dua Lipën, bashkë me të cilën morën pjesë në evente promovuese të filmit "Hive", me protagoniste pikërisht Hotin.

Hoti ishte e paqasshme në tentativat tona për të kontaktuar me të, por nuk ekziston arsye të mos besojmë se ajo mund të ketë qëndrim pozitiv ndaj iniciativës së Sejfullahut, marrë parasysh përkrahjen morale të një figure si imami i katundit.

Lajme të ngjashme