Shqipja pushtuese dhe shqipja në ilegalitet
Col Mehmeti
Është e vërtetë se për shqipen mund të ftillohet historia kërshëruese e një gjuhe që u përplas andej-e-këndej nga shekujt.
Ashtu siç thotë ujdia mes akademikësh perëndimorë, ajo paraqet zhvillimin e një ose disa idiomave indigjene që mbijetuan mozomëkeq e copa-copa në Ballkanin Perëndimor dhe atë Qendror.
Këto idioma mund të ishin ilirishte ose dakishte, çështje terminologjie e hamendjesh kjo, porse patjetër ato ishin të folme lashtoballkanike.
Në këtë histori mijëvjeçare, asnjëherë një shqipfolës, ose protoshqipfolës, nuk ka përdorur gjuhë artificë: “Kjo nuk është thjesht...por është...”
Shqipja e inteligjencës artificiale e ka vjedhur nga modeli i gatshëm i anglishtes binare “its not...its also...”

Këto frazime të neveritshme i pikëpjek kudo mes njerëzish të Facebook-ut që, duke u përfenur në shtrat, vjedhin nga inteligjenca artificiale edhe idetë, edhe gjuhësimin.
Ata shqipfolës, sidomos në Kosovë, që edhe një copë teksti elementar e vënë në mokrën e AI-së, ata vërtet janë pashpresa e të tashmes ose e ardhmja apokaliptike tek na jep shenja paralajmëruese në të tashmen.
Një shqipe e kësillojtë binare krijon edhe nje qenie të përçudtë që fuqinë abstrahuese e zëvendëson me formulime të tejthjeshtuara mohuese a pohuese.
Nëse një shqipfolës i kërkon gjuhëprodhuesit artificial një tekst mbi Gërminë, me siguri ai do të mbarështrohej kështu: “Gërmia nuk është thjesht një park, por është pjesë e Prishtinës. Ajo është e kundërta e urbanes—aorta e gjelbër”.
Kur lexohen këso formulime të mefshta e imbecile, dhe Facebook-u kutërbon prej tyre, pyetja që nxjerr krye është se si do të jetë e ardhmja gjuhësore pas pesë vitesh.

Muhabetet do të jenë skëterrisht të pajeta, pa fuqi, pa forcën gjallnike që dikur na bënte me cene, por edhe na hovizonte përpara.
Kjo shqipe elektronike tashmë i ka dy banorë të çuditshëm: njëri e ka emrin en dash, që është një vijë mesatare (–), dhe tjetri quhet em dash, që është një vijë e gjatë (—).
Aty ku në shqipen klasike presjet krijonin pushime e klauza, tash në shqipen elektronike janë en dash-i dhe em dash-i që e kryejnë funksionin e parantezave, krijojnë pushime në fjali, ose edhe theksojnë informacione më rëndësore brenda fjalisë.
Ç’është e vërteta, shqipja elektronike ua dha nënshtetësinë këtyre vizave jo pse shqipshkruesit ishin kreativë.
Ato janë shenjat më të sigurta të shqipes së prodhuar nga inteligjenca artificiale.
Kësodore, falë tyre pikaset marifeti mashtrues i një numri njerëzish që kanë krijuar varësi nga tekstet e gatshme të inteligjencës artificiale.

Njerëz që deri dje keqshkruanin në një keqshqipe, gati në kufijtë e një plasaritje e retardimi mendor, sot i sheh me tekste që kanë përpikmëri drejtshkrimore e sintaksore.
Sidoqoftë, shqipja klasike nuk është asgjësuar. Ajo vërtet e mori malin, duke ia lënë ultësirën shqipes elektronike si pushtuesja e re.
Por, shqipshkruesi klasik e ka një as nën mëngë dhe ai është fuqia e idiomës.

Frazeologjitë e përtejfjalshme e të figurshme janë si kripa në gjellën e gjuhës.
Shqipa elektronike e AI-së nuk i ka, dhe duhet tepër zahmet për t’i vjedhur ato nga thesaurusi ilegal.