Provat me 10 minuta vonesë: Sindikata e Teatrit Kombëtar e pakënaqur me MKRS-në, nis "revoltën" sindikale - NACIONALE

Provat me 10 minuta vonesë: Sindikata e Teatrit Kombëtar e pakënaqur me MKRS-në, nis "revoltën" sindikale

3 javë më parë

nga NACIONALE

Shoqata Sindikale e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka njoftuar për një hap sindikal në lidhje me mospërmbushjen dhe mospërfilljen e obligimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në njoftim, Sindikata e TKK-së ka theksuar se deri më tani nuk është hartuar dhe miratuar rregullorja për organizimin e brendshëm të pozitave në këtë institucion të rëndësishëm kulturor.

Vonesa, sipas kësaj sindikate është 18 muaj.

“Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, në takimin e radhës të mbajtur më 04.09.2024, ka analizuar të gjitha proceset e deritashme që lidhen me përmirësimin e koeficientëve të pagave për aktorët e trupës rezidente dhe të punëtorëve të TKK-së, dhe ka marrë vendim që përmes kësaj letre t’ua ua rikujtoj mospërfilljen dhe mospërmbushjen e obligimeve nga ana e MKRS për hartimin dhe miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm të pozitave në TKK, as pas 18 muajve” – thuhet në komunikatë.

Tutje, Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së ka treguar edhe hapin sindikal që do të zbatohet në kundërshtim të mospërfilljes institucionale nga ana e MKRS-së.

“Ju njoftojmë se Shoqata Sindikale e Artistëve te Teatrit Kombëtar te Kosovës në përputhje me të gjitha rregulloret dhe ligjet përkatëse, ka marrë vendim që sot, me datë 16.09.2024, të filloj zyrtarisht zbatimin e hapave sindikal me: Fillimi i provave me 10 minuta vonesë. Ky hap është vetëm fillimi i hapave që do të ndërmarrim ashtu siq kemi paralajmëruar në letrën e dërguar ministrit të kulturës të datës 09.09.2024. Hapat sindikal do të përshkallëzohen javë pas jave deri në realizimin e kërkesës tonë: Permiresimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës” – shkruhet në komunikatën e kësaj shoqate sindikale.

Në njoftim është shkruar edhe arsyeshmëria e kërkesës sindikale.

“Kërkesën tonë e bazojmë në përgatitjen profesionale të trupës sonë; shkallën e përgjegjësisë; specifikat e vendit të punës; volumin e madh të punës; punës pa orar e cila arrinë edhe deri në 16 orë punë në ditë; punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare për shkak të kërkesave specifike të punës; kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit; numrit të reprizave (rreth 150 repriza gjatë një stinori artistik); numrit të shikuesve që është trefishuar duke qene institucioni i kulturës me më së shumti vizitorë, dhe mbi të gjitha, rëndësisë së institucionit të TKK-së duke qenë institucioni më i lartë kulturor në vend. Përvec këtyre, sot aktori i TKK-së, pavarësisht kualifikimit superior, ka pagë të barabart edhe me punëtorët teknik teatrove të qyteteve” – theksohet në komunikatë.

Lajme të ngjashme