Mes betonit të Titos dhe mermerit të Adem Jasharit është ngjyra pink - NACIONALE

Mes betonit të Titos dhe mermerit të Adem Jasharit është ngjyra pink

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Shenjat e Bienales nomade të artit “Manifesta” kanë filluar të vërehen në Prishtinë. Zyrtarisht do të nisë me 22 korrik dhe do të zgjasë për 100 ditë, dhe disa prej intervenimeve artistike tashmë nuk kanë nevojë të presin nisjen zyrtare.

Nacionale do të përcjellë në detaje Bienalen “Manifesta” në të cilën 37 artistë lokal dhe mbi 70 të tjerë ndërkombëtarë do të ekspozojnë punët e tyre nëpër pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Lexo për intervenimin e artistit Alban Muja me “mbindërtimin” e tij

Teksa punë të ndryshme sikurse ajo e Petrit Halilajt mbi Hotel Grand tashmë kanë nisur të komentohen, një intervenim i ri artistik, ka nisur të shpërndahet me të madhe, por pak po kuptohet.

Bëhet fjalë për përmendoren e njohur si “Trekëndëshi” mes objektit të Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës, e cila është mveshur me letër alumini me një ngjyrë mes rozes dhe vjollces.

Ky intervenim është punë e artistit nga Zvicra që jeton në Neë York, Ugo Rondinone, i cili njihet me intervenimet e tija të ngjajshme nëpër vende të ndryshme të botës. Vetëm para disa muajsh në prill, në Galerinë e arteve në Seul të Koresë së Jugut, ku mveshi me letra alumini të ngjyrave të ndryshme, gurët e mdhenjë që ngjasojnë në murgesha e murgë.Ai njihet për vepra të ngjajshme edhe në disa lokacione të ndryshme si në Meksiko City.

Por në “Prishtina City” ai ka vendosur që të mvesh një monument kontravers në Prishtinë.

Bëhet fjalë për monumentin e Heronjëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare që u ndërtua nën sundimin e Josip Broz Titos në vitin 1961. I njohur më së shumti si "Trekëndëshi", ai u krijua për të konsoliduar "vëllazërim-bashkimin" – gjoja të farkuar gjatë rezistencës partizane në Luftën e Dytë Botërore – të tri grupeve më të mëdha etnike që jetonin në Kosovë: shqiptarëve, serbëve dhe malazezëve.

Pas viteve 2000, ky monument u bë pjesë e debatit publik në një tentim të disa grupeve për t’ia ndryshuar “qëllimin”. Ka pasur përpjekje këmbëngulëse për ta zëvendësuar me një monument kushtuar historisë së rezistencës shqiptare, të personifikuar nga figura e kreut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.

“Në një kohë kur monumentet në gjithë botën po trazohen – dhe shpesh po përmbysen – për shkak të ngatërrimit me ideologjitë, transformimi i monumentit të padukshëm gri në një me ngjyrë të ndezur prej Ugo Rondinone-s, sjell në dukje të plotë si strukturën ashtu edhe debatin kritik për të cilin qëndron. Në të njëjtën kohë, ai nxjerr një objekt të "bukurisë dhe vështrimit;”, thuhet në konceptin e Manifestës për intervenimin e artistit.

Vet artisti nuk është ende në Prishtinë, dhe pritet të vijë gjatë këtyre 100 ditëve, por puna e tij, megjithatë ka nisur të ngjallë debat në rrjete sociale.

Objektet e tilla, element i përsëritur i praktikës së artistit, ftojnë shikuesin të "kënaqet në përvojën e pastër shqisore të ngjyrës, formës dhe masës’”, thuhet në shpjegimin e Manifestës për intervenimin por për shumë banor të Prishtinës, që Nacionale takoi gjatë së mërkurës, ky intervenim është i pakuptueshëm.

Kur Nacionale pyeti disa kalimtar rasti, nëse po ju pëlqen intervenimi, ata knë mëdyshje.

“A për gjithë e kanë bo qeshtu a?”, tha Ademi, 54 vjeçar, që po kalonte kah monumenti që është në sheshin me emrin “Adem Jasharit”.

Të tjerë kalimtar, shprehen dyshimet nëse duhet lejuar intervenimi në monumente të tilla.

Nuk e di a bon me u leju që me i ngjyros ose me mvesh me letra monumentet. Ama mirë po doket”, tha Anisa, një grua rreth të 40-ve.

Të rinjt që ishin duke “skate” në hapësirën përreth monumentit, e shohin këtë intervenim si të nevojshëm.

Vetëm beton, beton, beton, bile do beton që duket bukur”, tha Andi, një 16 vjeçar, teksa bënte fotografi pranë monumentit që tashmë ka marrë ngjyrë krejt tjetër, por nëse kjo do të ndikojë në kuptimin e ri të tij, mbetet të shihet.

Lajme të ngjashme