Kukullat në “Hotel Grand” që ju flasin për gjëra që shumica i mbajnë në vete edhe kur ato të vrasin përbrenda - NACIONALE

Kukullat në “Hotel Grand” që ju flasin për gjëra që shumica i mbajnë në vete edhe kur ato të vrasin përbrenda

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Në njërin nga katet e Hotelit Grand që është kthyer në një hapësirë masive për ekspozitë të veprave në kuadër të Bienales së artit “Manifesta” që po mbahet në Prishtinë e që është e hapur deri në fund të tetorit, janë disa kukulla në të cilat pak vizitorë e kuptojnë që ju ftojnë për t’u ulur. Kur uleni në to, fillimisht e krijoni një rehati pasi ato janë të mëdha dhe kanë forma që të japin njëlloj afërsie. Por nëse afroni kokën dhe veshët tek “zemra” e kukullave, ju do të filloni të dëgjoni disa poezi. Ato janë të shkruara dhe të lexuara nga artisti Dardan Zhegrova, i cili në “Nacionale Podcast” rrëfen për krejt historinë e kësaj serie të veprave kukulla të cilat rrëfejnë për gjërat dhe emocionet për të cilat na vie marre ose refuzojmë që të flasim. Arsyet janë të shumta.

“Nuk jemi mësuar që të flasim për ato që ndjejmë kur ato nuk përkojnë me realitetin e konstrukteve sociale ose tradicionale”, thotë Zhegrova në këtë podcast.

Kukullat janë një formë e lashtë e rrëfimtarisë që kanë udhëtuar përgjatë rrugëve të ndryshme nga Azia në Evropë. Shumë tradita kanë evoluar gjatë kalimit të tyre nga një kulturë në tjetrën. Ndërsa njerëzit zakonisht e lidhin këtë formë të teatrit me argëtimin e fëmijëve, kukullat kanë luajtur rol të rëndësishëm në teatrin politik dhe të protestave. Dardan Zhegrova mbështetet në historinë e pasur me kukullat e tij të mëdha me dy fytyra. Secila e pajisur me shufra, këta surrogatë të palëvizur janë menduar që të ndërveprohet me ta, t’u jepet një zë dhe një personalitet, të lëvizin në këtë dhe atë mënyrë.

Poezitë e Zhegrovës kanë të bëjnë me ngjarje të trilluara ose të jetuara. Shpesh poezitë janë të shkruara nga perspektiva e vetës së parë dhe i adresohen një pale tjetër (imagjinare), e cila imagjinohet prej artistit. Nuk ka përemra gjinorë si “ajo” apo “ai”- narrativa shpaloset mes përemrave “unë” dhe “ti”. Kësisoj, kufiri mes subjektit dhe shikuesit të punës nis të turbullohet. Shpërhapja e këtyre kufijve të tregimtarisë tradicionale mund të shihet mes strukturës kohore në poezi që shpesh turbullon të ardhmen, të tashmen dhe të shkuarën.

Në punën e Zhegrovës, kjo ndarje e kufijve gjithashtu reflekton identitetin e tij queer që luhatet mes atributeve femërore dhe mashkullore dhe kategorikisht mohon e tejkalon kuptimet normative të gjinisë. Krejt kjo është bërë me qëllim. Ai nuk dëshiron që të futet në konstruktet sociale gjinore e seksuale kur flet për ndjenjën. Sesi përballet një artist me ato që ndjen dhe si i përkthen ato në një vepër, flet vet Zhegrova në këtë podcast, seri e diskutimeve me artistë lokal që kanë marrë pjesë në “Manifesta”.

Lajme të ngjashme