Kresha shkatërroi një këngë që mund të ishte legjendare me Inva Mulën dhe Geasyn - NACIONALE

Kresha shkatërroi një këngë që mund të ishte legjendare me Inva Mulën dhe Geasyn

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Zhgënjimi më i madh që mund të dëgjoja ishte versi i Mc Kreshës në këngën që i kishte krejt predispozitat e mundshme të shndërrohej në një monumentale, me Ghetto Geasyn dhe Inva Mulën në bashkëpunim.

"Jem Njo" quhet bashkëpunimi i parë mes dy figurave më të pushtetshme në industrinë e hip-hopit dhe muzikës në përgjithësi (për debat), të cilat isha skeptik nëse do të mund t'i shihja ndonjëherë në të njëjtën këngë.

Lufta mes Kreshës dhe Geasyt ka qenë e zhurmshme dhe e heshtur në të njëjtën kohë. Të gjithë e dinim se këta dy, përfshirë grupet e tyre, nuk shkonin mirë. Nga lindën "mosmarrëveshjet" apo inatet, asnjëherë nuk e patëm të qartë. Mirëpo, në mungesë të sulmeve direkte, vazhdimisht shihnim e dëgjonim rreshta subkoshient drejtuar ndaj njëri-tjetrit (më shumë të Kreshës për Geasyn se sa anasjelltas) - nganjëherë ishte veç supozim dhe kishte hapësirë për interpretim, e nganjëherë gjërat ishin më të qarta.

Sidoqoftë, asaj çka i ishte futur në mes reperit më të mirë në histori të shqiphopit dhe reperit të katërt më të mirë (shikoni top dhjetëshen më poshtë), i erdhi fundi në Albafestin e vitit të kaluar, kur dyshja për herë të parë - të paktën publikisht - u pa duke i zgjatu dorën njëri-tjetrit.

Më vonë të dy i pamë edhe te "Zemër Luana", e ndërkohë u paralajmërua edhe një bashkëpunim mes dyshes, por - për një milion vite - nuk do më shkonte mendja se do të përfshihej edhe Inva Mula.

Tash, as që do ta marr të drejtën të komentoj atë çka bën Mula në këtë projekt, pavarësisht se e konsideroj diçka si absolutisht spektakolare. Gati, gati, rrëqethëse.

Versi i Geasyt fillon kështu:

"Dashnia për këtë punë ka nisë shumë herët.

"96 Prishtinë gjithçka terr e errët.

"E kom nis me dosta n‘rrugë prej zeros.

"Jom bo ma i madhi n‘ ven qysh para euros."

Katër rreshtat e parë, 100% kredibilitet. E dini çka e bën Geasyn më të veçantë se të tjerët… niveli i kredibilitetit në pothuajse secilin varg, i cili mund të mos jetë më i mençuri apo më i mirë shkruari që keni parë e dëgjuar ndonjëherë, por është krejtësisht i besueshëm. Edhe kur praktikon artin e fryrjes, i besoj në krejt çka thotë. I vetmi që të jep ndjesinë se ka bërë jetë të njëmendtë prej "VIP"-i.

Oh, dhe kjo "jom bo ma i madhi n'ven, qysh para euros", është po ashtu një që të rrëmben. Në kohën e markave gjermane kishim dëgjuar për të.

Vazhdimi i versit të Geasyt (minus katër rreshtat e mesëm):

"Papakat merren me mu pa ja dit hallin vetit.

"Qe 23 vjet hala tu majt per r* t‘Getit.

"T'u u rrit ma shumë, t'u ditë, t'u hap rrugë për t‘ritë.

"T'u pritu me ja gërrditë, kto zhulsa kur jon ngjitë.

"Niveli jonë dallon si nata me ditë

"I lo me reflektu nëse veç kanë mu rritë".

Pikërisht... një periudhë e gjatë dhe e zhurmshme ishte kur dukej sikur po zhvillohej garë dy kuajsh, me njërin që po printe dukshëm. Kali i parë ishte Geasy me grup, ndërsa kali tjetër vinte në formën e krejt reperëve tjerë të estradës, me të gjithë që dukej se e kishin një problem me prishtinasin.

E ky, në vlugun e krejt vargjeve e sulmeve subkoshiente që po i vinin nga të gjitha anët, publikonte këngë si "E nxonme", sikur donte t'u tregonte se ishte i patrazuar dhe nuk kishin kurrfarë rëndësie për të.

Andaj, në sytë e mi të paktën, është ë (fitore) për Geasyn bashkëpunimi me Kreshën, dhe jo aq shumë për këtë të fundit. Rreshti “I lo me reflektu nëse veç dojnë me u rritë”, përshtatet me situatën e Kreshës dhe tij.

Kresha e katandisi keq punën te "Jem Njo"

Tash, problemi i vetëm në këtë këngë me përmasa për të qenë shumë më shumë, është Kresha. Lapsi i tij këtu duket i rraskapitur, përtac, i lodhur e i përsëritur.

Dhe kjo evidentohet qysh nga rreshtat e parë:

"Drejt prej mahallës, sonte natë e madhe.

"Full e kena sallën, hajde hajna hallve.

"T'u bo pare tulifare po du me lu fare.

"Ni këngëtare afër vetes, zoni s'i shkon fare."

Fiks pas dy rreshtave të parë, mezi prisja ta përfundonte. E kemi stërdëgjuar tashmë këtë "drejt prej mahallës", e sidomos "natë e madhe e hallve". Tepër, tepër e parashikueshme dhe përtace.

Dy rreshtat e parë pasues janë paksa më mirë, por menjëherë pas tyre rifillon zhgënjimi:

"Mos t'ish konë puna e dollarëve s'më kishe pa fare.

"Isha konë me hajna t'Spanjës t'u t'hi për dritare.

"S'boj për punë zyrtare, i vizatumë n'takim prej 9-ve

"Idoll Tony Montanën, punë me t'bardhën si p9-e."

Tutje, më mirë të mos e analizojmë... dhe këto vargjet "s'ka beef, tash hajna sarme", thjesht janë stër konsumuar. Në fakt, është mirë të lihen me një anë për një kohë metaforat për "beef" në ndërlidhje me ushqime. Gjëja më e keqe në hip-hop aktualisht.

Më vonë përfshihet edhe një aventurë përtace e Kreshës me vargje sipërfaqësore dhe krejtësisht nonshalante. Për më tepër, nuk duket se përshtate fare me bitë dhe recitimi i tij ke përshtypjen se nuk përkon me instrumentalin, për t'i dhënë një shije të hidhur një kënge me potencial.

Lajme të ngjashme