Konjufca homazhe në nderim të Kadaresë: Ai do të jetë mes nesh i paharruar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe pranë arkëmortit të shkrimitarit të madh, Ismail Kadare.
Konjufca ka thënë se Kadare i dha shumë popullit shqiptar dhe se krijimtari e tij do të mbetet e pavdekshme.
“Me veprën e tij ai zgjeroi gjuhën, mprehu perceptimet dhe stërholloi ndijimet, ndezi imagjinatën e formësoi përfytyrime për të gjithë popullin tonë. Figurat, frazat, vargjet dhe personazhet e tij janë tashmë referenca kolektive të mendimit dhe shqisave tona artistike si komb.” – ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
Sot mora pjesë në homazhet në Tiranë, në nderim të jetës dhe veprës së Ismail Kadaresë. Ai i dha aq shumë kombit shqiptar, e për këtë të gjithë do të jemi gjithnjë mirënjohës, ndërsa përmes tij populli shqiptar i dha botës një gjeni të letërsisë, e për këtë do të jemi gjithnjë krenarë, ne dhe brezat që do të vijnë.
Dhimbja për ikjen e tij është shumë e madhe, por ai do të jetë mes nesh i paharruar, me krijimtarinë e tij që do të mbetet e pavdekshme në letërsinë botërore!
Me veprën e tij ai zgjeroi gjuhën, mprehu perceptimet dhe stërholloi ndijimet, ndezi imagjinatën e formësoi përfytyrime për të gjithë popullin tonë. Figurat, frazat, vargjet dhe personazhet e tij janë tashmë referenca kolektive të mendimit dhe shqisave tona artistike si komb.
U prehtë në paqe e përjetësi, aty ku do të shndërrisë duke i bërë dritë të gjithë botës!