Kisha e fshatit mysliman pa xhami pret njohjen nga Serbia që t’i ndalë zërat e këqij: Llapushniku - NACIONALE

Kisha e fshatit mysliman pa xhami pret njohjen nga Serbia që t’i ndalë zërat e këqij: Llapushniku

1 vit më parë

nga NACIONALE

"Po, e marun... është e drejt e gjithkujt".

Me këtë energji u përgjigj Fadili, derisa e ndalëm në një rrugë të Llapushnikut, ku ishim drejtuar për më shumë nga katundi me kishë, por pa xhami.

Natyrisht, nëse ka katunde që kanë vetëm xhami, pse të mos ketë një që ka vetëm kishë, apo jo?

Energjia që merrje nga bashkëbisedimet me vendësit ishte tejet pozitive... të gjithë ishin njëzëri se kisha në krye të Llapushnikut, ishte aty për një qëllim dhe për një kauzë përtej ndarjeve, përcaktimeve fetare, dhe inateve të llojit “pse me pasë kishë, e jo xhami”, të cilat mund të jenë të zakonshme për një popull me mbi 90% fe islame.

"Vetëm një mahallë është (me katolikë), edhe këta të ardhur janë. Një mahallë me dhjetë familje është", shtoi tutje Fadili, teksa tash kishte ndryshuar kahjen nga po ecte për të marrë drejtim tjetër, pasi e thirra nga prapa.

Rrugën e vazhduam drejt kishës, e cila pozicionohej në krye të kodrës, e që mund të shihej nga rruga kryesore para se të futeshe në fshat.

Sidoqoftë, gjatë vozitjes, spikatëm një burrë që mbante në dorë një fëmijë, me gjasë mbesë, ndërsa në dorën tjetër çantën e saj.

"Aaa kisha... është asfalltit, përpjetë duhet me shku", më tha Sylë Tahir Gashi kur u njoftua nga ne se kishim ardhur për të vizituar kishën e Llapushnikut.

Ishte e tepërt edhe pyetja ime që ia bëra "në cilin vit u maru kjo kishë?" por e kuptova se ishte e tillë, vetëm pas përgjigjes që mora.

"Aiiii... s'di as kur jom lindë unë, e le mo kur u maru kisha. Na myslimanë jemi, Gashë. Na s'kemi kurrfarë ndryshimi (me katolikët). Shumë mirë e kalojnë, si dje si sot."

Sidoqoftë, e kuptova se nuk ishin aq miqësore raportet sa, shembull, të ftonin njëri-tjetrin për iftar ndonjëherë.

"As s'na thirrin, as s'i thërrasim për këto punë. Festat i mbajnë ata të vetat, na tonat. I kemi kojshi, na s'kemi kurrgjë me njëri-tjetrin.”

Një tjetër koment tutje më dha informata apo dezinformata - të cilat nuk arrita t’i verifikoj - tjera mbi situatën.

"Po n'fillim kur e nisën (ndërtimin e kishës, të krishterët), e nisën me kritika me dalllavere, s'un banë kurgjë. Se thojshin ka pasë kishë, e këtu s'ka pasë kishë kurrë, as xhami kurrë."

I pyetur pse nuk ka xhami në fshat, përgjigjja e tij ishte interesante.

"Ni hoxhë është n'atë anë anej. Thaç osht. E kanë pasë shumë herë llaf me maru ni xhami. Po hoxha tha jo se po ndahet xhemati. Na shkojmë me u falë herë në Zabel të ulët, herë në Komoran, e herë në Orllat."

Në diskutim e sipër, dikush tjetër u bashkangjit.

"Çka është puna?", pyeti personazhi me emrin Binak, i cili po ashtu erdhi nga rruga e njëjtë me Sylën më herët, dhe njashtu ishte në shoqërinë e një fëmiu, të cilit ia mbante çantën. Kur u njoftua se kishim ardhur për të bërë një reportazh rreth kishës dhe diversitetit fetar në katund, përgjigjja e tij ishte e menjëhershme dhe direkte.

"Kisha s'na pengon neve. Absolut jo", u shpreh ai, derisa fëmijët po shtoheshin në numër, jo për kuriozitet ndaj asaj që po thuhej, por për të parë nga afër aparatin e fotografit.

"Kisha nashta osht ma e mirë se xhamia. Do sene çka po i bajnë myslimanët...", shtoi ai.

Pas ca diskutimeve të tjera të vogla, vazhduam rrugën drejt Kishës së "Shën Abrahamit", të cilës i ishim drejtuar që nga fillimi, por që u vonuam prej dëshirës që të ndërvepronim me banorët lokalë.

Atje, përveç kishës, do të kishim mundësi të flisnim edhe me akterë që i takonin fesë katolike. Objekti i tyre i shenjtë ishte vendosur afër shtëpive, me ca metra ngjitje që duhej t'i bëje.

Ngjitja ishte sikur 'sakrifica' e fundit para 'çmimit' që të priste lart. Sinqerisht, ajo ishte ndjenja që merrje. Pamje fantastike, tullat - me gjasë - të mermerit ishin ende të freskëta, për shkak të vjetërsisë vetëm pesë-vjeçare të objektit. Kisha në mes të kodrës, kufizohej nga një rrethojë që ndante dy hektarët e kishës, nga pjesa tjetër e tokës përreth.

"Për Atme e Fe", shkruhej në pjesën e përparme të objektit, i cili posedonte një pllakë të theksuar me shqiponjë në anën tjetër. Fatkeqësisht, dera ishte mbyllur... e braktisur ishte edhe kioska brenda oborrit.

Moti i vranët që mbulonte objektin e mbyllur, të paokupuar nga qeniet e gjalla, të jepte një ndjesi që ishte miks i fascinimit dhe ankthit se mos po mbetnim pa u futur brenda.

Dera ishte e mbyllur, por në letrën e vendosur në mur, shkruhej: “Të dashur vizitorë, jeni gjithmonë të mirëseardhur në Kishën ‘Shën Abraham’ në Llapushnik”, ndërsa nën të ishte vendosur numri i famulltarit dhe përgjegjësit të kishës. Shpresat që famulltarin ta gjenim andej pari na u shuan kur telefonuam dhe na tha se gjendej në Prishtinë, por se gjatë ditëve në vijim mund të aranzhonim një takim me të.

Sigurisht, as që e kishim ndërmend ta konsideronim si opsion rikthimin një ditë tjetër te kisha, në të cilën dëshironim të futeshim brenda sa më shpejt që ishte e mundur. Andaj, u futëm në misionin ambicioz për t’i shkuar derë më derë secilës familje krishtere, derisa dikush të na bënte një zgjidhje; ishim të bindur se ndonjëra mund të ketë një çelës ekstra… si mund të lihej tërë ai projekt arkitektonik në mëshirën e një çelësi të vetëm të dikujt që gjendej në Prishtinë? Tashmë llapushnikasit na kishin njoftuar se mëhalla në afërsi të kishës ishin katolikë, andaj mbetej ta provonim fatin. Derë më derë futesha e endesha nëpër mëhallë, duke pyetur njerëz, të cilët më udhëzonin sa te njëra shtëpi, sa te tjetra.

Pasi mësuam shtëpinë e përgjegjësit të kishës, iu drejtuam menjëherë për të marrë një lajm tjetër zhgënjyes. Një grua e respektuar doli në ballkon, por jo krejtësisht, pasi po insistonte të qëndronte nën mbulojën e ballkonit, sigurisht për t’i evituar reshjet e lehta të shiut që sapo kishin filluar. “Nuk është këtu Avniu (Avni Sopi ishte përgjegjësi i kishës). Në punë është”. Pasi e pyeta se ku punon Avniu, mora një lajm paksa inkurajues… ai kishte një punishte veturash, jo shumë larg pasi zhdjergjeshe poshtë katundit, në rrugën kryesore.

Menjëherë u futëm në veturë, për të gjetur punishten, të cilës tash ia dinim edhe emrin. Pasi e gjetëm dhe u futëm brenda, u prezantuam… “Po kërkoj Avniun”, i thashë një burri, i cili insistonte të flisnim me famulltarin që gjendej në Prishtinë dhe të merreshim vesh me të. Pas ca shkëmbimeve, ai u fut në një dhomë të improvizuar brenda punishtes, para se të dilte një djalosh i mbajtur dhe i qetë për nga natyra… apo ashtu të paktën të linte përshtypjen e parë.

“Përjashta munësh me fotografu kishën, po mrena nuk lejohet, se po i keqpërdorin”, më tha Avniu, të cilin më në fund e takova nga afër. Madje e tha me një gjuhë trupore bindëse, sikur ishte lodhur nga njerëzit si unë që i shkonin te shtëpia e punishtja herë pas here me pretendime të tilla, si ato të mijat.

Por ne tashmë kishim bërë foto nga jashtë, aty ishim me qëllimin e vetëm që të siguronim çelësin që do të na fuste për të parë e bërë foto nga brenda. Por, natyrisht, nuk mund të aplikonim presion të shtuar që në start.

“Me myslimanët e Llapushnikut nuk kemi pasë mosmarrëveshje për shkak të kishës, por për shkak të tokës, në fillim”, u shpreh Avniu, derisa po fillonim të ndërtonim një urë komunikuese respektuese, falë edhe kulturës dhe edukatës së bashkëbiseduesit.

Derisa po vazhdonim komunikimin, dikush tjetër doli nga dera e dhomës së improvizuar në punishte. “Prej cilës gazetë jeni ju? A duheni me pasë najfarë bexhi?”, u shpreh burri me zë këmbues. Me mirëkuptim të plotë, i tregova bexhin, të cilit ai i hodhi një sy me interesim jo fort të madh.

“I kena përzanë disa herë gazetarët. Se po vijnë këtu po e keqpërdorin… nuk po janë korrektë, po fusin gjëra të paqena”, thoshte Avniu, vizualisht i lodhur nga eksperiencat e mëhershme me kolegët tanë.

Sidoqoftë, ai u pajtua të vinte me ne për të na treguar më shumë rreth kishës nga afër, teksa u pajtua edhe të na linte të futeshim e të bënim foto, pasi mori leje nga famulltari në Prishtinë.

Gjatë rrugës, në diskutim e sipër, me temë religjionin, ai u shpreh: “Qyre, njerëzit kanë folë shumë, a pe din, nëpër portale e sene: ‘Pse nuk po na njeh Vatikani sene vene..’ Vatikani nuk munët me të njoftë derisa ti je në konflikt. Për shembull, na hala s'e kem të zgjedhun çështjen me Serbinë. Qat ditë që t'njeh Vatikani, ty ma Serbia shans nuk ka me të hi.”

Avniu na njoftoi se së shpejti do të rregullohej infrastruktura jashtë kishës, e cila ende ishte e shtruar me zhavorr. Tutje, ai rrëfente si deri në vitin 2008, familjet krishtere aty identifikoheshin si myslimane jashtë dyerve të shtëpisë, por në realitet katolikë kishin qenë gjithmonë.

“Paramendo të jetosh me një frikë të tillë stigmatizimi, që të ndihesh katolik e të paraqitesh sy myslimanë”, po e mendoja me veten.

Kur e përfunduam me foto brenda kishës, Avniu na dërgoi në byfenë poshtë, ku na shërbeu raki rrushi… nga kualiteti i së cilës mbetëm të befasuar unë dhe fotografi.

Pasi na tregoi se merret me bujqësi, por që fare nuk ia vlen ky zanat për shkak të mungesës së përkrahjes institucionale nga pushteti, ne e kthyem Avniun në punishte dhe i dhamë fund një dite dinjitoze në Llapushnik, ku ishim ndarë të kënaqur me pritjen dhe ‘gostinë’ që na u bë.

Derisa ktheheshim, po reflektoja mbi të bëmat e ditës dhe po ndihesha krenar që njerëzit e Llapushnikut po jetonin në paqe të plotë fetare, duke respektuar diversitetin religjioz, teksa mikpritja e Avniut sigurisht se do të jetë katalizatori i vizitës tjetër që e planifikuam në të ardhmen afatshkurtër.

Karakteristikat e llapushnikasve:

Mikpritja: 9
Mendjehapësia: 8
Autenticiteti: 8

Lajme të ngjashme