"Kese t'bardha si Mihrije Braha, ma shumë hekra se n'shpi brava": Rreshtat më të mençur të thënë nga reperët kosovarë - NACIONALE

"Kese t'bardha si Mihrije Braha, ma shumë hekra se n'shpi brava": Rreshtat më të mençur të thënë nga reperët kosovarë

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Nuk ka gjë më tunduese, emocionuese e rrëqethëse se sa një rresht potent e i mirëmenduar i ndonjë reperi – ndjenjë që barazohet me pak gjëra tjera, andaj kemi bërë një përmbledhje të disa prej tyre që kanë mbetur ndër vite në mbamendje.

Disa prej reperave tuaj të preferuar e gjejnë veten në këtë mes, siç e gjetën edhe në artikullin paraprak përmbledhëse të disa prej rreshtave më të tmerrshëm të thënë nga të njëjtit.

Për që shumica, për të mos thënë krejt prej tyre, janë të talentuar, nuk është shumë për hamendësim, sidoqoftë, qëllimshëm apo paqëllimshëm ata shpeshherë korruptohen nga përtacëria dhe intuita për të marrë shumë e për të dhënë pak.

Andaj, marrë parasysh pushtetin e industrisë së muzikës në popull, është mëse e natyrshme të krijohen mekanizma kritikë e përgjegjëskërkues, sa për ta mbajtur të paktën një standard për materialin që servohet në audiencën milionëshe.

Vëmendje: Vargjet/rreshtat e mëposhtëm janë përfshirë duke marrë parasysh vetëm repera të skenës “mainstream”, duke shmangur bekimin e veshëve me disa rreshta jashtëzakonisht të mençur të reperëve “underground”. Gjithashtu, të njëjtit artistë të përfshirë, mund të kenë një mori vargjesh tjera – potencialisht edhe më të mençura se këto të përfshirat – por në këtë përmbledhje gjenden disa prej të preferuarave e që më kanë mbetur në kokë ndër vite.

Si standard janë përdorur rreshtat apo vargjet me të cilat është tentuar të nënvizohet pushtet intelektual nga artisti brenda pak fjalëve, pa u zgjëruar në reptura të gjata përmbajtësore, me vargje që ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Mc Kresha – Rick Ross

Edhe s'kom ça mu fry, jom t'u chillite si Bohem

Ti je bo rat (Borat) man o Sacha Baron Cohen

(klikoni më poshtë për t'i dëgjuar vargjet)

Shpjegimi:

“Bohem” apo “cigan” - stil jetese jo shumë ortodoks, shpeshherë brenda një komuniteti me pikëpamje të njëjta. Kjo formë e të jetuarit përfshinë rrugëtime muzikore, artistike, letrare apo spirituale – në këtë kontekst kur Kresha thotë “jom t’u chillitë si bohem”, nënkupton që jam duke bërë qejf, i relaksuar dhe pa shqetësime siç jeton një “bohem”.

Te pjesa “Ti je bo rat man” – ‘rat’ apo ‘mi’, në zhargonin e rrugës përdoret si sinonim i "spiunit" por edhe "BORAT", karakteri komik filmi – “o Sacha Baron Cohen” – emri i aktorit që luan rolin e “Borat”, i cili i takon komunitetit “bohem” apo cigan në hit filmin komik.

Një lojë fjalësh absolutisht brilante nga Kresha derisa flet me dy-tre kuptime në të njëjtën kohë, duke i dhënë kuptim logjik perfekt gjithçkaje që thuhet. Personit që i drejtohet me përbuzje Kresha e quan “spiun”, që është një prej ofendimeve më të mëdha që mund të bësh në kulturën e hip-hopit, duke e cilësuar të njëjtin edhe personazh komik e që nuk mund ta marrë seriozisht, siç është karakteri “Borat”, i luajtur nga aktori Sacha Baron Cohen.

Lumi B – Ça bone

Kto rima t'u m'dalë si brina

Ko mi The (“dhi” në kuptimin e “GOAT”) End ata që bojnë filma

Ish-reperi i grupit KAOS këtu bën ndërlidhje brilante të fjalëve me kuptime të dyfishta. Kur thotë “k’to rima t’u m’dalë si brina” bën ndërlidhje me “dhinë” në kuptimin e “GOAT” (që në përkthim origjinal i bie “dhi”, por përdoret gjërësisht si term për të përshkruar më të mirin e të gjitha kohëve – Greatest Of All Time), duke vazhduar pastaj me “The End ata që bojnë filma”.

Mjeshtri impresive. “The End” – fjala e parë “The” shqiptohet “dhi” që i bie “GOAT”, por edhe kuptimi origjinal “The End” (fundi) për “ata që bëjnë filma” – në fund të pothuajse secilit film shohim fjalët “The End”, që i bie “fundi” i filmit.

Një për t’u mbajtur mend nga Lumi B.

Gjiko – Bari, terla

Kese t'bardha si Mihrie Braha,

Ma shumë hekra, se n'shpi brava

Shpjegimi:

Për juve që mund t’iu ketë kaluar mbi kokë, apo thjesht nuk doni ta lodhni trurin, kur Gjiko thotë “kese t’bardha si Mihrie Braha”, në mënyrë metaforike flet për “qesen” me përmbajtje narkotike, me shumë gjasë, të llojit “kokainë” – por duke përfshirë në narracion këngëtaren e zhanrit popullor, Mihrie Braha, e cila tradicionalisht ka mbajtur flokët e bardha.

Te pjesa kur reperi pejan shprehet “ma shumë hekra, se n’shpi brava”, flet për revole, të cilat i maskon nën sinonimin e “hekra” (që në zhargonin e rrugës nënkuptojnë edhe “revolet”), duke nënvizuar se ka më shumë revole se në shtëpi brava – doreza që përdoret për hapjen e derës.

Unikkatil – 1 milion rrugë

Arsyen pse nuk jom rahat e preka, EUREKA

Shpjegimi:

Përgjegjësia është e madhe për të nxjerr një rresht nga komplet bagazhi i bujshëm me materiale të Unikkatilit, por – si fans i muzikës së viteve të fundit të tij, më shumë se ato të mëhershmet – zgjodha këtë nga një këngë absolutisht e jashtëzakonshme e reperit ikonik.

Kënga “1 milion rrugë” është njëmend një eksperiencë dhe rrugëtim në vete, që flet zëshëm dhe qartë për një person që thjesht nuk mund të ngopet së dituri e së mësuari. Përveç mesazhit enorm edukativ, Unikkatil përdorë aftësitë e tij brilante për tregim të kapitujve të ndryshëm të jetës së tij.

Kur ai thotë “arsyen pse nuk jom rehat e preka, EUREKA”, (“Eureka” - një britmë gëzimi ose kënaqësie kur dikush gjen ose zbulon diçka).

Kënga “1 milion rrugë” e Unikkatil-it ka për synim të rrok realitetin e njeriut që është gjithnjë në kërkim të diturisë. Meqënese dija është e pakufishme, rruga drejt saj është e përhershme. Ajo mbaron veç atëherë kur vetë njeriu vdes.

Mozzik – T’kan rrejt

S’jeni ju për sokak, ju lodhi si ARGAT

Nuk është se ka shumë për t’u shpjeguar në këtë rresht, me Mozzikun që kishte futur veten në hartë me vargje të tilla që janë më shumë qesharake (në kuptimin pozitiv) dhe kreative, se sa përmbajtësore.

“Sokak” që nënkupton “rrugë”, derisa fut në miks “lodhjen” si ndjenjë plogështie fizike dhe “lodhjen”, që shpesh në gjuhën dhe fjalorin urban përdoret si metaforë për mposhtje. Ju drejtohet homologëve “ju lodhi si ARGAT”, derisa pretendon të nënvizojë pushtet aftësish superiore ndaj tyre, por duke përdorur epitetin “argat” (hamall, punëtor fizik), i cili mund të vuajë nga lodhja fizike për shkak të natyrës së punës.

BimBimma – Anjo1

Veç kur dalin n’spote, para kamerave kanë imazh

Se kur s’dalin n’televizion jon veç plan i shpraztë

Rrugën drejt suksesit ta kom shkurtu unë, KALIMASH

Si për Unikkatilin, njëjtë edhe për Bim Bimmën, është jashtëzakonisht e vështirë të ndahet vetëm një rimë nga repertuari i tij i gjërë me këngë e vargje jashtëzakonisht potente. Mirëpo, marrë parasysh standardin që kemi vendosur të ndjekim për të përfshirë rreshta me kuptime të dyfishta dhe të mençura e që përcjellin mesazh vetëm në një varg aty për aty, atëherë kjo është e preferuara ime nga BimBimma.

Kalimashi është fshat në Shqipëri e ku gjendet ai që quhet “tuneli i Kalimashit”, i cili ka shkurtuar dukshëm rrugën udhëtuese nga Kosova për në bregdetin shqiptar.

Andaj kur reperi prishtinas thotë “rrugën drejt suksesit ta kom shkurtu unë, KALIMASH”, flet – me shumë gjasë - për dikë me të cilin ka bashkëpunuar më herët por tash është shndërruar në rival të tij, e i cili ka pasur sukses më të shpejt se që është paraparë të kishte për shkak të bashkëpunimit me BimBimmën.

Në fund është çështje shijesh dhe varësisht si e godet dëgjuesin, por mbetet një rresht absolutisht për duartrokitje, sidomos në miks me atë që thuhet paraprakisht.

Buta – Kilo

Zhdrypi prej kerrit, o m*therf*ckin film

Si mi grah shpejt 100 euro n'denim

Një prej atyre që më impresionoi prej momentit të parë që e kam dëgjuar. Në rreshtin e parë ai flet për dukjen flutur sa i përket të veshurës dhe mbathurës kur “zhdrypë prej kerrit”, para se të lëshojë një prej atyre vargjeve që kërkojnë kreativitet impresiv për t’i krijuar.

Kur reperi ferizajas thotë “si mi grah shpejt 100 euro n’denim” flet për “denim”, që nga anglishtja i bie xhaketë farmerke e llojit “denim”, e cila thotë se ka kushtuar “100 euro”, por duke i dhënë kuptim të dyfishtë pasi shton “si mi grah shpejt”, derisa me “denim” tash nënkupton gjobë trafiku të dhënë nga policia për tejkalim të shpejtësisë.

Ledri Vula - Ça bone

Qaq shumë bars mi shti krejt n'Jail (burg)

Ti s’je për beef (mish) shko porosit gjell

Definitivsht një prej rreshtave të preferuar nga Ledri. Kur thotë “bars" që shqip i bie "grilat" e burgut, por edhe "bars" në kuptimin e rreshtave të mençur – përdorë fjalë me kuptim të dyfishtë duke i dhënë sens në mënyrë fantastike.

Andaj, kur thotë “qaq shumë bars mi shti krejt n’jail” (“jail” nga anglishtja i bie “burg”) luan me fjalë, duke potencuar se posedon shumë rreshta të mençur por pastaj të njëjtës fjalë i jep kuptimin origjinal të saj e që është “grila” të cilën e lidhë pastaj me burg dhe grilat e burgut.

Pjesa pasuese “ti s’je për beef (mish), shko porositë gjellë”, i drejtohet tjetrit me “beef” që në zhargonin e rrugës nënkupton mosmarrëveshje apo “luftë” mes reperëve apo bandave, por duke i kthyer përsëri origjinalitetin bazë kësaj fjale – që do të thotë “mish” - me rreshtin pasues, derisa shton “shko porositë gjellë”,

Lluni - Top 3

Për kit sport jom Top Tier, ti je kot, nuk je GOAT veç e ke dh*e

“Top Tier” nga anglishtja i bie “niveli më i lart i kualitetit”, derisa e ndërlidhë me fjalët “ti jet kot, nuk je GOAT (dhia, kafsha por edhe “GOAT” si më i miri i të gjitha kohëve) “veç e ke dh*e”.

Kur flasim për investim intelekti në punën që bëni, e nënkuptojmë pikërisht këtë. Lluni i drejtohet rivalit duke i thënë me pak fjalë ti nuk je “GOAT”, që domethënë nuk je më i miri, veç e ke dh*e, në kuptimin e nevojës fiziologjike por edhe në kuptimin e dhisë si kafshë, emrin e të cilës në anglisht e përdorë për të folur për më të mirin ndonjëherë.

Lyrical Son – 100

Mos hini n'tripa, juve s'ju kom fmi, ju kom nipa

Une jom 2pac ju jeni 3pac (t'ri pak)

U thotë reperëve rivalë “mos hini n’tripa”, duke i quajtur “nipa”, pasi e konsideron veten si “gjyshi” i tyre në këtë rast – si më i vjetri dhe njëkohësisht kryesori në hip-hop kulturë.

Pjesa brilante vjen kur thotë “une jom 2pac, ju jeni t’ri pak (3pac), duke bërë lojë fjalësh, teksa përfshin ikonën e hiphopit global, 2pac, me 3pac – por edhe “t’ri pak” – duke e ndërlidhur me rreshtin paraprak ku ju referohet rivalëve me fjalët “ju kom nipa”. Oh, dhe në këtë këngë, Lyrical Son absolutisht i mbëshkëlqen Ledrin e Singullarin, të cilët - pasi kryen pjesën e tij - duken si reperë të dorës së dytë.

Lajme të ngjashme