I dënuari për terrorizëm bën thirrje për kujdes: Keqpërdorimi i religjionit ndikon në radikalizëm - NACIONALE

I dënuari për terrorizëm bën thirrje për kujdes: Keqpërdorimi i religjionit ndikon në radikalizëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Albert Berisha, më parë i dënuar për pjesëmarrje në luftë në Siri, u ka bërë thirrje të rinjve që të kenë kujdes nga radikalizimi fetar.

Në një konferencë të organizuar në Prishtinë nga Instituti për Siguri, Integrim dhe Deradikalizim (INSID), e cila ka trajtuar këtë çështje, ai ka thënë se keqpërdorimi i religjionit ka ndikuar në radikalizmin e njerëzve.

Së bashku me këtë, sipas Berishës, në radikalizimin e shoqërisë kosovare ka luajtur rol një mori faktorësh.

Ai ka thënë se telefonata nga imamë të shquar e të radikalizuar, prirje për vepër humanitare për të ndihmuar besimtarët si në rastin e luftës në Siri, faktorët ekonomikë, rrethanat socio-politike, islamofobia, mentaliteti i viktimës, janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në radikalizmin e njerëzve

Në rrëfimin e përvojës se tij, ai ka shpjeguar gjithë procesin e vendimmarrjes që e shtyu t’i bashkohet luftës në Siri.

Ai ka deklaruar se tani do të angazhohet të ndriçojë situatën, në mënyrë që askush të mos veprojë siç bëri ai.

Fton të gjithë të mendojnë dy herë

Si një person që ndoqi atë rrugë të gabuar, Alberti fton për mendim njerëzit që ndeshen me mundësi radikalizimi. Ai gjen të menduarit e arsyeshëm si antidot të asaj alternative.

Njeriu që nuk mendon gabon shumë. Jo njëherë, po shumë herë duhet me mendu dhe me pyetë sepse edhe qëllimet më të pastërta, idealet më të nalta, obligimet më të rëndësishme që i ka përcaktuar Zoti, munden me u keqpërdorë prej njerëzve. Për këtë arsye çdo hap që e ndërmarrin njerëzit e rinj, duhet ta mendojnë dy herë”, thotë Berisha në një video-dokumentar të përgatitur nga INSID.

Duke ndarë kujtime nga tregimi i tij, ai tregon si ishte ndier i tradhtuar pasi situata reale në Siri ishte tërësisht e ndryshme nga ajo që përshkruhej në rrjete shoqërore.

Ndjenja më e keqe është se jam ndje i tradhtuar. Jam tradhtuar prej njerëzve që më kanë thanë që atje është duke u bo “xhihad” i vërtetë, ndërsa atje njerëzit veç janë përgatitë për me bo vëlla-vrasje. Unë kam shkuar atje për t’i ndihmuar myslimanët, jo për të çnjerëzu ata”, shprehet Berisha në të njëjtin material, të shpërndarë nga INSID.

Kjo konferencë është ndjekur edhe nga përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme shoqërore.

Në këtë takim morën pjesë e dhe zëvendës-kryeministrja Emilia Rexhepi, kryeimami i Bashkësisë Islame, Vedat Sahiti, dhe disa përfaqësues nga vendet evropiane të organizatave që veprojnë në fushë të njëjtë sikurse INSID.

Emilia Rexhepi, në cilësinë e zëvendës-kryeministres, ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ndihmojë procesin e deradikalizimit.

Instituti për Siguri, Integrim dhe Deradikalizim (INSID) ka filluar kampanjën e organizuar “Mendo”.
Kjo kampanjë përbëhet nga tregime të personave të cilët kanë marrë pjesë, në një formë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në luftën në Siri.

Lajme të ngjashme