Harrojeni Gjermaninë, mund të ikni nga mjerimi kosovar për 25 euro: Rrëfime të kosovarëve që morën LSD - NACIONALE

Harrojeni Gjermaninë, mund të ikni nga mjerimi kosovar për 25 euro: Rrëfime të kosovarëve që morën LSD

2 vjet më parë

nga Burim Pacolli

200 mijë kosovarë kanë aplikuar për viza pune në Gjermani. Ne të tjerët vazhdojmë ta përjetojmë e durojmë realitetin me ato tipare të mërzitshme që ia shohim çdo ditë. E megjithatë, jo bash krejt ne të tjerët. Ka njerëz që arratisen nga realiteti ynë edhe pse duken se trupërisht bëjnë pjesë aty. Këtu do të flasim për ell-es-dinë, LSD-në.

Kushton veç njëzet e pesë euro që të takosh vetveten në moshën sa ishe i vogël, krejt i vogël, apo edhe që të pish kafe me stërgjyshin tënd, katragjyshin apo edhe Skënderbeun nëse të teket.

Por, ndër përjetimet e këtij realiteti që mu rrëfyen ishte gëlltitja nga gjarpërinj gjigantë, përndjekja nga merimanga vdekjeprurëse në rrugë dhe... takimi me melaqe (engjëj). Krejt këto vijnë nga përdorimi i substancës halucinogjene që njihet si LSD.

Në fakt, në eksperienca të tilla si të lartpërmendurat (përveç 'takimit me melaqe' që ma tha personalisht një subjekt) që i përmenda hasa pasi bëra një kërkim gjeneral nëpër botë rreth efekteve të LSD-së. Kjo para se të kërkoja vullnetarë lokalë për të folur rreth përjetimeve të tyre me ata që ka qenë prezentë në treg që nga viti 1939, kur kimisti Albert Hoffman krijoi diçka psikedelike, derisa po mundohej të shpikte një stimulant respiratori.

Më vonë, kompania ku ai punonte e hodhi në tregun e shitjes me emrin 'della CID', derisa pretendonte se shëron disa sëmundje psikologjike.

Andaj, nuk do mend pse vazhdimisht kam rastisur në nofkën 'CID', gjatë ndërveprimit me subjekte që kanë pasur eksperiencë me të.

Në fakt, mënyra si më prezantohej CID-i nga personat e ndryshëm, kishte dallime fundamentale dhe përshkrime identike në të njejtën kohë.

"Nër (nën efektin e) CID je tu folë me melaqe, e sheh melaqen para syve. Është ndjenjë hyjnore. Kur e kom marrë unë, në një festival të muzikës elektronike, isha pesë sekonda para muzikës. M'dulë shpirti prej trupit. E pajsha veten prej naltit", më tha personalisht Agroni, derisa po qëndronim në veturë të dy. Po dëgjoja me vëmendje krejt eksperiencën e tij dhe po vëreja ndryshim të theksuar të gjuhës së trupit - nga gjendja normale, te hiperaktiviteti dhe ngazëllimi, gati sikur po e bindte veten duke folur që në atë moment të fuste në gojë kartonin potent halucinogjen.

Sepse, i tillë është... kartuq i vogël, që supozohesh ta fusësh në gojë dhe ta mbash derisa të shkrihet, ose direkt të përpihet. Faza tjetër e procesit është të prisni 'mrekullinë' (jo domosdoshmërisht në kuptimin pozitiv).

Portali apo dera që do t’ju hapet gjatë eksperiencës që zgjatë 8-12 orë, do të jetë përgjithmonë definuese për ju si person.

"Kushdo që përdor LSD, bëhet i dehur dhe nuk do ta shohë më kurrë jetën njëjtë", thuhet në mesin e shumë gjërave tjera, në dokumentarin e DW për substancën në fjalë.

Ishte e pamundur të kuptoja saktësisht çka realisht ndryshon te ju si person që do ta mbani tërë jetën mbi supe, pasi të prezantohesh me LSD-në.

E di, kurioziteti vret, por me kokëfortësi dhe ngulmim, nganjëherë irrituese, isha i vendosur të përjetoja përmes rrëfimeve atë që akterët e kishin përjetuar pas stimulimit nga një substancë jashtëzakonisht potente si CID-i.

Shpjegimi më i përafërt që mora ishte:

"Po s'ki qysh e shpjegon me fjalë. Diqysh, t’çelen si dy dyer me një, si...", nga Genti, i cili po ashtu potencoi tutje se "kurrë mo nuk je i njëjti", pasi të eksperimentosh me LSD-në, përdorimi në mikrodozë i së cilës "rrit performancën në baza ditore", gjithnjë sipas asaj që thuhet në dokumentarin e DW, "LSD - microdosing LSD in the name of self-improvement".

Sidoqoftë, fjala 'mikrodozë' ishte gati e panjohur për personat me të cilët pata rastin të ndërveproj.

Matjet e tilla, mikrodozë apo mbidozë, bëhen sipas përshtypjes momentale – sa ua merr mendja atyre se mjafton ose nuk mjafton.

Një këndvështrim interesant rreth edukimit në lidhje me substancën në fjalë pati përdoruesi, Arbeni, i cili u shpreh fillimisht:

"Meqë po flasim për njërën prej drogave për të cilën publiku mesatar kosovar nuk është shumë i informuar, unë personalisht mendoj që më e dobishmja për shoqërinë do të ishte që të qëndronte ashtu, pra, besoj që sa më pak që publiku të dijë, aq më pak ka mundësi t'i ekspozohet. Kjo, pasi që besoj se vetëdijësimi për një fenomen të caktuar nxit edhe kuriozitetin për ta njohur atë praktikisht/direkt më mirë."

Duke elaboruar rreth efektit dhe mënyrës së përdorimit të LSD-së, i njëjti u shpreh:

"Nëse flasim për efektet e LSD-së gjatë përdorimit, janë efekte shumë të forta, dhe nëse dikush vendos që ta përdorë, duhet të ketë kujdes dhe ta marrë atë në një vend privat me një rreth me të cilët ndihet shumë rehat, pasi që nën ndikimin e saj minuti të duket si sekondë dhe truri të stimulohet në një mënyrë të çuditshme duke pasur ndikim të madh në të gjitha shqisat tona, në të cilat humbim kontrollin tonë, dhe pjesërisht mund të ndikohet edhe vullneti nga absorbimi iluzionar i rrethit nga shqisat tona. Duke llogaritur këto, kthehemi te rahatia e duhur si parakusht për të përdorur LSD-në dhe assesi në publik. Një gjë tjetër e efektit (për dikë pozitive), është që fokusi ynë imagjinar është shumë i stimuluar dhe mund të vijnë ide shume kreative për rrethin, publikun, jetën dhe botën."

Për dallim nga akterët e tjerë të cilët ishin të vendosur të flisnin vetëm për eksperiencën dhe benefitet që ua ka dhënë përdorimi i LSD-së, Arbeni ishte i vetmi që nuk hezitoi të nënvizonte edhe pasojat potenciale nga ekspozimi ndaj një substance të tillë.

"Përveç asaj, duke llogaritur që një substancë e tillë kimike është shumë potente në aspektin psikik, kjo e bën atë të rrezikshme (për njerëz që nuk i njohin substancat e tilla psikotrope), por edhe tunduese (për ata që janë më të familjarizuar me konsumin e substancave të ndryshme të tilla), gjë që mund të çojë në humbje/shkëputje prej realitetit fizik, por edhe të shkaktojë halucinacione të cilat mund të kenë dëme afatgjate, si te përdoruesit, ashtu edhe rrethi i tyre.”

Sigursht që secili kimikal ndikon ndryshe në secilin individ, prandaj edhe mund të bëhet një lloj dallimi se për kë do të mund të ishte më lehtë e përballueshme/dëfryese e për kë e papërballueshme/paranoike, por përsëri do të sugjeroja që një substancë e tillë ka më shumë elemente negative se pozitive."

Me Arbenin pata rastin të takohem personalisht në një park të qytetit, ku ndër të tjera më tha "menxi po pres me u kry Ramazani, me marrë njo (LSD), se e kom n'shpi t'gatshme".

Ai ishte agjërueshëm dhe po më thoshte si "shqiptarët osht ma mirë mos me ditë hiç për këso lloj drogash, se ma mirë i kanë punët. Se shumica e njerëzve tri droga i njohin - barin, kokainën edhe heroinën".

Ishte e pamundur të pajtohesha me të sa i përket kësaj çështjeje. Vështirë se do të kontribuonte në situatën aktuale mbajtja e fshehtë apo refuzimi për ta përfshirë në diskutim një dukuri shumë prezente në kulturën kosovare dhe jo vetëm.

Niki nga Gjilani ishte i bindur nëse duhet provuar LSD, të paktën një herë.

"Si mu konë gips (term që përdoret për dehje nga bari) të bën. Pak hutuese, por shumë unike dhe ndjenjë qetësuese. Me provu i kisha thonë gjithqysh (çdokujna)."

Sa më shumë që njoftohesha e kuptoja rreth LSD-së, aq më shumë rriteshin këndvështrimet dhe ndërveprimet me akterë të ndryshëm. Andaj, dalëngadalë fillova të ndryshoj qasje edhe sa i përket deklaratës së Arbeni më lart, me të cilin tash po pajtohem se "vetëdijësimi rrit kuriozitetin", i cili mund të pasojë tutje me nxitje ndaj përdorimit.

Një gjë që mu nënvizua qartazi dhe zëshëm ishte zhvillimi i aftësive kreative për të zgjidhur atë që keni për të zgjidhur, por në mënyrën më të mirë të mundshme nën efektin e substancës në fjalë.

Hmm... imagjinoni një botë shumëdimensionale ku çdo gjë dhe gjithçka është e mundur. Nga dinosaurët fluturues, deri te melaqet shqipfolëse, menyja është zgjidh e merr.

Sidoqoftë, opsionet përzgjedhëse po del se dallojnë varësisht prej vendit ku konsumohet.

"Eksperiencat me LSD kanë qenë të ndryshme. Kur e merr në plazh, është krejt ndryshe, kur e merr në kllab është krejt tjetër sen. LSD nuk është kurgjo ma shumë se sa njëfar çelësi që t'i hapë disa foldera në tru, të cilët deri sa s'ke marrë LSD nuk e ke ditë që i ke", shpjegon Visari.

"Tani varet edhe nga disponimi që e ke në momentet kur e merr dhe me cilët persona je në shoqëri. Varet shumë edhe se çfarë njeri je. Nëse je asi bajati që s'e din çka po merr ose pse po e merr, ki me pas 'bad trip' që njihet si 'trip i keq'. Mu më ka ndodhë me pas 'bad trip' por e kam kalu shpejt sepse e kam ditë çka po boj, pse po e marr dhe çka ka me ndodhë. Kështu që ajo çka unë mendoj dhe sugjeroj për të tjerët është që të mos të lexojnë shumë në internet për LSD por le të flasin me njerëzit që e kanë provuar, e pastaj le të gjejnë shoqërinë që i njohin për ta provuar, e mbi të gjitha, le ta gjejnë një vend të bukur, sikurse malet e Rugovës ose Plazhi i Drimades."

Pozitive, negative, e mirë, e keqe, stimuluese, e dëmshme... është këndvështrim i qëndrimeve personale që variojnë nga rrethana të ndryshme psiko/sociale por ajo çka mund të them përfundimisht pas një dite të tërë të kaluar duke u marrë me çështjen në fjalë, është se drogat psikodelike janë këtu dhe janë këtu për të qëndruar.

Nacionale ka kontaktuar edhe me qendrën rehabilituese të të varurve nga droga, 'Labyrinth', e cila ka potencuar se festivalet muzikore janë epiqendër e përdorimit të drogave të tilla psikodelike, përfshirë LSD.

"Ne kemi pasur raste dhe mosha të ndryshme. të cilët kanë ardhë pasi kanë përdorë këto lloje të drogave. Trajtimi bëhet kryesisht për t'i lehtësuar simptomat, kaniherë edhe psikotike, me anë të farmakoterapisë".

Për më tepër, 'Labyrinth' shtoi se drogat e tilla nuk krijojnë varësi dhe se madje përdorimi i tyre është i kufizuar në shoqërinë kosovare.

"Këto lloje të drogave nuk krijojnë varësi, si dhe mundësia për t'i marrë shpesh është shumë e limituar, për shkak të efektit që japin.

"Në përgjithësi nuk është ndonjë trend në rritje aktualisht, mirëpo gjatë sezonit të verës rritet numri i përdorimit. Në databazën tonë, kemi regjistruar 2586 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë në qendrën tonë, prej tyre janë rreth 4% që kanë përdorur ndonjëherë drogë të tipit halucinogjen (LSD)".

Këtë rrëfim po e përmbyllim me fjalët që m’i tha Graniti, që me LSD-në është njohur në një plazh nga disa shokë të tij.

“Njeriu është mësu me qenë i magjepsun me botën. Bota, deri para pak shekujsh, ishte e pakapshme dhe e panjohur: territore të panjohura, krijesa të panjohura, kultura të panjohura. Te injoranca qëndronte magjepsja. Por, tash kjo magjepsje ka vdekë sepse njeriu ka mësu e pushtu gjithçka. Realiteti është fare i vogël, bota fare e vogël. Kjo e rrit mërzinë, ngulfatjen, dhe prandaj substancat psikedelike si LSD janë jo veç të nevojshme por edhe të domsodoshme. Kur e pata provu për herë të parë ka qenë si me u rinjoftë për së dyti me botën, e edhe veten.”

Vëmendje: Emrat e rrëfyesve në këtë artikull janë fiktivë, për të ruajtur identitetin dhe anonimitetin e personave që treguan eksperiencat pasi u droguan me LSD.

Lajme të ngjashme