Godina kulturore e Prishtinës dizajnohet si xhubletë – por kërkon gjysmë dekade për t’u finalizuar
Shtetit të Kosovës, më saktë Ministrisë së Kulturës, i ka kushtuar 2 milionë e 480 mijë euro projekti ideor për ngrehinën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Prishtinë. E shpalosur në fillim të shkurtit nga arkitekti i shquar danez, Bjarke Ingels dhe studioja e tij ‘BIG’, kryeministri Kurti nuk ia pati huqur dakikun për t’i marrë meritat kryesore, anipse bëhej fjalë vetëm për një projekt ideor. Por, shndrrimi i tij në projekt zbatues, sipas arkitektit danez, kërkon 15 muaj dhe gjysmë dekade që përfundimisht të rrumbullakësohet.
Projekti ideor mbi atë se si do të duket një nga qendrat kryesore të jetës kulturore në Kosovë ka marrë jehonë edhe nga media të huaja. E tillë është edhe platforma ‘TrendHunter’, e cila i ka kushtuar një artikull ngrehinës që duket si spektakël interesant i arkitekturës bashkëkohore.
Kjo platformë shkruan se kompania daneze e dizajnit BIG ka dizajnuar ngrehinën e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës që është një kulm i valëzuar palë-palë i formësuar me veshje tradicionale kosovare.
Ajo është bërë në bashkëpunim me ALB-Architect dhe hapësira performative është paraparë të jetë banesa e Filarmonisë, Baletit dhe Operës të Kosovës.
“Kjo përbëhet nga një sallë koncertale, sallë teatrore, një për recital, si dhe një qendër edukative dhe konferencash – që të gjitha kanë hapësirë dhe vend të mjaftueshëm”, shkruan faqja ‘Trendhunter’.
Themeluesi i BIG, Bjarke Ingels e ka shpjeguar konceptin e dizajnit, duke vënë në dukje “Dizajni ynë për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës është bërë posi një fabrikë eficiente për fabrikimin e performancave artistike. Bërthama racionale është mbështjellë në një si çadër të vazhdueshme, duke krijuar një hapësirë tërheqëse publike e hapur nga të gjitha anët. Çatia e valëzuar krijon një rrjedhë dhe një gjest ftues që ta kujton xhubletën, veshjen tradicionale në Kosovë”.
Në fillim të këtij muaji, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Kulturës Hajrullah Çeku e kishin konsideruar si alamet arritje kur arkitekti danez Biarke Ingels dhe studioja e tij e shpalosën projektin në Prishtinë.
Kurti, në një afishim në profilin e tij në ‘Facebook’, kishte shpallur një “epokë të re artistike për Kosovën”.
“Pas 50 vitesh shtëpia e re e institucioneve qendrore të arteve muzikore dhe skenike do t’i ofrojë Prishtinës një ikonë të munguar të arkitekturës bashkëkohore, duke e vendosur atë në lartësinë e hartës botërore të kulturës”, kishte shkruar ai.
Por, deklarime si këto ngjajnë si hesape të bëra pa hanxhiun.
Në të vërtetë, projekti i mbështetur në xhubletë – veshje që tashmë ka hyrë në fondin e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – kërkon 15 muaj që të shndërrohet nga projekti ideor në projekt zbatues. Madje, sipas vetë projektuesit danez, ai kërkon gjysmë dekade që të finalizohet.
Historia e përpjekjeve për ta bërë kryeqytetin me Teatër të Operës dhe Baletit zanafillon qysh më 2 dhjetor të 2009-s, por kjo kishte përfunduar vetëm me vënien e një guri themltar në hapësirën pranë Fakultetit Teknik.
C. Mehmeti