5 kolica të hamajve të Prishtinës si karrige të rehatisë dhe pushtetit - NACIONALE

5 kolica të hamajve të Prishtinës si karrige të rehatisë dhe pushtetit

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Një nga punët më të vjetra në Prishtinë, llogaritet të jetë puna e hamajve apo siç njihen në gjuhën urbane “kolicaxhitë”, të cilët i gjen kryesisht në tregjet e Prishtinës.

Artisti Lulzim Beqiri, i cili ka jetuar dekada në këtë zonë që njihet si Prishtina e vjetër, gjithmonë ishte kurioz për mënyrën sesi funksionojnë këta karrocaxhitë.

Më interesonte nëse e kanë çmimin në bazë të peshës apo largësisë së vendit ku i bartnin gjërat”, thotë Zeqiri teksa kujton mëdyshjet e tij si i ri nga tregu.

Shumë dekada më pas, kur Zeqiri është një nga artistët më të etabluar të Prishtinës që tashmë jeton në Linz të Austrisë, është kthyer sërish në treg, por pa mëdyshjet e rinisë.

Ka zgjedhur pesë karrocaxhi ose “koliaxhi” (karrocë apo kolicë nuk ka lidhje, si të doni lexojeni) dhe ua ka blerë mjetet e transportit për një çmim prej 100 eurove.

Si fakt humori, shumë prej tyre as nuk e besonin dhe nuk e kuptonin pse dua t’ia blejë ato”, thotë Zeqiri në një Podcast bisedë për Nacionale.

Intervinimi i tij artistik në kuadër të Manifesta 14 që po mbahet në Prishtinë (deri në tetor) është titulluar “The Lightness of the weight” (Lehtësia e Peshës) duke vendosur këto pesë karroca në formë të rrumbullakët, në të cilën njerëzit mund të ulen në to.

Sipas vlerësimit të kuratores së Manifesta në Prishtinë, kjo praktikë e funksionimit nëpër tregje nuk është vetëm veçori e Prishtinës.

Pavarësisht nëse vizitoni tregjet e Prishtinës ose Portsmuthit, Madridit ose Mumbait, pashmangshmërisht ende do të shihni hamaj që shtyjnë prodhime me karrocë nga tezgat te ndonjë pikë ngarkimi diku afër. Dhe do t'i shihni të njëjtët hamaj duke i përdorur karrocat e veta si ulëse. Shpesh të mbledhura në rrathë, karrocat formojnë vendtubime të improvizuara, vende për të pushuar dhe për të shkëmbyer rrëfimet ndërmjet ngarkimeve”, thuhet në përshkrimin kuratorial të Manifestës.

Aty thuhet gjithashtu se Lulzim Zeqiri është i mahnitur nga kjo ndërthurje mes tregtimit dhe rehatisë, bashkëjetesës dhe miqësisë. Në këtë podcast intervistë Zeqiri thotë se ky instalim i tij tenton që të marrë sa më shumë interpretime. Por ai jep disa prej tyre.

Një diçka që është e destinume me bartë, në momentin që e shndërron në ulëse, vjen interpretimi tjetër e karriges si status social dhe pushteti”, thotë ai. Karrocat janë të vendosura tek sheshi “Adem Jashari” mes objektit të Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Zeqiri na tregon se edhe kjo është bërë me qëllim.

Kur e pyetëm se cila është arsyeja që i bleu karrocat e ndryshkura dhe të përdorura nga hamajt ai dha një përgjigje provokuese.

Kam dashtë me ble rehatinë e tyre. Kom dasht[ me kriju një status të ri social përmes tyre”, thotë Zeqiri.

Kuratorja e Manifestës, ka shkruar se instalimi i tij në vend të caktuar bazohet në një projekt kërkimor afatgjatë që shqyrton zakonet dhe shqetësimet e hamajve të pazarit.

E vendosur në një nga lëndinat e pakta me hije të Prishtinës, krejt afër pazarit të vjetër, vepra e Zeqirit përbëhet nga një grupim i karrocave të ndryshkura të pazarit. Duke i përdorur për ta heqë peshën nga këmbët, kalimtarët përvetësojnë pa dashje qëndrimin e hamajve - dhe të produkteve që ata i shtyjnë”, thuhet në konceptin e kuratores.

Dëgjojeni podcast bisedën me artistin Lulzim Zeqiri dhe të tjera intervista me artistë pjesmarrës në Manifesta 14.

Lajme të ngjashme