Eurovizioni na dëshpëron: Shqipëria me këngë ‘gjenitale’, Serbia me këngë gjeniale

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Të gjithë e duam Shqipërinë, dhe votojmë për të, por këtë vit duket se do të jemi më të dekurajuar për ta bërë një gjë të tillë. Fatkeqësisht, kënga e Serbisë në garën evropiane të këngës është larg më e mirë.

Në dëgjimin e parë pak a shumë mund të fitosh një ide cila këngë potencialisht do të performojë më mirë në Eurovizionin e këtij viti në Torino të Italisë.

"Sekret" e Ronela Hajatit u përcoll me një mori kritikash rreth përmbajtjes seksiste të tekstit e performancës që u karakterizua me një prekje të organit gjenital në prova, duke nxitur fshirjen e postimit nga llogaria zyrtare e Eurovizionit, për ta ripostuar sërish foton e Hajatit pa veprimin kontrovers. Një dimension të ri të përceptimit dhe të të menduarit përtej kutisë të jep të dëgjuarit e këngës së Serbisë.

Në fakt, "in corpore sano" nga Konstrakta – këngëtarja serbe – e bën të duket këngën "Sekret" – po e krahasojmë me këtë pasi është kontest krahasimesh e gare dhe ne sigurisht se e kemi vëmendjen te rezultati i Shqipërisë – si një vepër të zbrazët artistikisht, që fokusohet më shumë në trajtimin e një tematike si seksi dhe erotizmi, për të cilat është interesante të flitet vetëm në një vend me status të ulët edukativo/shoqëror.

"In corpore sano" në anën tjetër, ngërthen në vete mesazhe të fuqishme politike e shoqërore, duke trajtuar me kritikë çështjen e sistemit shëndetësor në Serbi, teksa ironizon me standardet joreale të bukurisë dhe me satirë impresive elaboron në kryerjen e veprimeve të thjeshta ditore si "shëtitja e qenit", duke vendosur krejt besimin mbi zemrën se nuk do t'i ndalet.

Gjeniale apo jo? Veç mënyra si fillon kjo këngë është kompleksuese për një këngë si ajo e Shqipërisë, njëmend. Duke hamendësuar mbi sekretin prapa flokëve të shëndetshme të Meghan Markle (gruaja e Princ Charlesit të Mbretërisë së Bashkuar), Konstrakta shfrytëzon komedinë e zezë për të ironizuar me disa gjendje shëndetësore, të cilat e bëjnë lëkurën dhe flokët të shëmtuara.

Pak nga teksti: Cili është sekreti prapa flokëve të shëndetshme të Meghan Markle?

Cili mund të jetë? x2

Mendoj se sekreti është hidratimi i thellë

Siç thonë, flokët e njërit dhe lëkura zbulojnë gjithçka

Për shembull: rrethi i zi rrotull syve tregon probleme me veshkë

Vendet e zeza rreth buzës mund të nënkuptojnë se ke shpretkë të ënjtur

Për shkak se është artiste, duhet të jetë e shëndetshme

Marrë parasysh problemet e panumërta politiko/sociale në Shqipëri, të bën të mendosh si nuk iu kujtua askujt të trajtonte një këngë me tematikë të ngjashme? Kur dëgjoni diçka të tillë është njëmend frustruese të reflektojmë mbi temat që trajtohen në skenën e gjërë muzikore në Kosovë e Shqipëri si seksi, eroticiteti e gjithçka tjetër për të cilën Konstrakta flet me ironi.

"Ta marrsha" thotë Hajati në një këngë që është përzgjedhur të përfaqësojë shqiptarinë në një kontest evropian të muzikës.

Pjesë nga teksti: Hey, hey, heyyy
Po vjen djali nga malet
Dhe tek unë sot do falet
Nuk e di a do ndalet
Hajde ti, hajde ti
T’i falim mëkatet
Për këtë vajzën do vije
Dhe krejt botën ta lije
Unë jam diell nuk jam hije
Ti je i jemi djalë prej Shqipërie

Dhe

Nuk e di si për tjetrën m’ke lonë?
Edhe sot unë po du me ta thonë
Edhe 1
Edhe 2
1 2 3 ta marrsha

Zhgënjyese të thuhet, nuk do të ishte vlerësim i tepërt. Pse gjithmonë ekziston ajo tendenca nga artistët tanë të na trajtojnë si një popull që nuk e ka mendjen askund tjetër veç dukjeve seksi të grave e përmbajtjeve erotike të këngëve? A është kjo njëmend ajo çka ne vërtet jemi për evropianët? A do ta vulosë Hajati edhe më shumë këtë lloj mendësie për shqipfolësit? A trajtohemi me inferioritet artistik sa herë janë në diskutim Serbia dhe Shqipëria e Kosova?

Paraqitja skenike

Këtu nënvizohet një nivel tjetër superioriteti i Serbisë. Performuesja është duke larë duart e ulur, pa ndonjë veshje zbuluese e ekstravagante që largon vëmendjen nga veprimet e vargjet tejet edukative. Te Hajati, mungesa e kreativitetit përmbajtësor mundohet të mbulohet me lëvizje eksplozive skenike, të cilat janë në rregull për një koncert lokal, por pikëpyetje nëse flasim për konteste kontinentale.

Diskrepancë e jashtëzakonshme sa i përket nivelit artistik vërehet edhe nëse analizojmë klipet e dy këngëve.

Hajati paraqitet në një storje të vjetër antike ku krejt ekzistencën e saj e bazon në epshe seksuale të cilat eventualisht i shuan me një burrë ushtarak "të fortë" që e kap dhe e shtyn për muri për t'ia futur duart nëpër zonat intime.

Në anën tjetër, Konstrakta në klipin e saj paraqitet përballë një burri duke ngrënë krahë pule, para se skenat të zhvendosen në një ambient që duket si tualet, ku ajo lan duart me zell dhe ironizon me fenë duke iu lutur zotit për shëndet, pasi nuk ka sigurim shëndetësor.

Lajme të ngjashme