Vepra "Të lirë" nga Lea Ypi, një reflektim mbi diktaturën - NACIONALE

Vepra "Të lirë" nga Lea Ypi, një reflektim mbi diktaturën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Romani “Të lirë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi, është një rrëfim autobiografik për tranzicionin e jetës së një vajze të vogël të paralelizuar me tranzicionin politik të një shoqërie dhe shteti që kalon prej një fortifikate komuniste në një vend të hapur liberal (Shqipëria). Lea Ypi, profesoresha e Teorisë Politike në London School of Economics, sjell perceptimin prej fëmije të Shqipërisë së rrënuar në komunizëm dhe në përpjekjet e saj drejt lirisë në post-komunizëm. Ky roman ka qenë një befasi e madhe pasi po botohet në 15 gjuhë të ndryshme të botës dhe së fundi është përgatitur nga anglishtja në shqip nga shtëpia botuese Dudaj.

Titulli “Të lirë” është ironik, pasi liria në libër shfaqet ndonjëherë si premtim e ndonjëherë si zhgënjim, por kurrë si realitet politik. Në qendër të veprës së Mithat Frashërit gjejmë diçka të ngjashme. Këtu e një shekull më parë ai u bënte thirrje shqiptarëve duke folur për fuqinë morale të një kombi dhe duke vënë theksin te dallimi midis lirisë së vërtetë dhe asaj në anarki.

Liria e vërtetë, shkruan Mithat Frashëri, nuk është liria që gjejmë në natyrë. Aty njeriu bëhet ujk për njeriun do të thoshte Hobsi, sepse shqetësohet vetëm për plotësimin e nevojave natyrore dhe ndjek instinktet natyrore, dëshirën për të realizuar qëllimet e tij pa e vrarë mendjen për pasojat e veprimeve të tij te të tjerët. Liria e vërtetë është ajo që ndërtojmë nëpërmjet institucioneve politike të drejta dhe të barabarta.

Më poshtë po e ndaj një pasazh të cituar nga vepra “Të lirë e Lea Ypi,

“Bota ime është po aq larg lirisë sa ajo së cilës u munduan t'i largohen prindërit e mi. Të dyja dështuan. Por dështimet e tyre morën forma të ndryshme, dhe pa i kuptuar ato forma do të mbetemi gjithnjë të përçarë. E shkrova këtë histori për të shpjeguar, për t'u pajtuar, për të vazhduar betejën.”

Ndër të tjera Lea Ypi me veprën e saj "Të lirë", një reflektim mbi diktaturën, tranzicionin, politikën dhe shoqërinë, u shpall fituese e çmimit "Lumo Skëndo".

Fjala përshëndetëse e shkrimtares Lea Ypi, me rastin e marrjes së çmimit "Lumo Skëndo" ishin:

Duke falënderuar jurinë për këtë çmim, dua të shpreh bashkë me mirënjohjen për vlerësimin e librit “Të Lirë”, edhe nderin që ai është rreshtuar në këtë listë finalistësh mes emrave të autorëve të cilët i admiroj jo vetëm për veprat e tyre, por edhe për integritetin intelektual dhe politik.

Libri ka zbritur në Shqipëri jo pa hezitim nga ana ime dhe është pritur jo pa polemika nga ana e publikut. Madje, Shqipëria ka qenë i vetmi vend në botë ku sasia e polemikave i ka kapërcyer shprehjet e vlerësimit. Tek ndiqja nga larg debatet që ai ngjallte, e ngushëlloja veten duke kujtuar një thënie të Ungjillit të vjetër: nemo propheta in patria - askush nuk është profet në vendin e tij. Jo se libri përmban ndonjë profeci, por pasi versioni modern i profecive të dikurshme janë kritikat që u bëhen shoqërive dhe ato kritika në këtë libër nuk mungojnë. Vlerësimi me këtë çmim tregon se mbase kjo ndjenjë e të mosqenit e kuptuar në vendin tim ishte një reagim mbase i nxituar dhe për këtë ju falënderoj.

Lea u ndie e kënaqur nga ky edicion, madje edicioni u shenjua nga emra si Fatos Lubonja, Rubens Shima, Fatmir Toçi e Kujtim Shala.

Sidoqoftë, romani i Ypit është një vepër mbi të cilën ia vlen të reflektojmë për vlerat e lirisë dhe debatet që e përcollën.

Lajme të ngjashme