Pse ia fut kot kaq shumë Lluni? Ledri absolutisht e shkatërron në këngën e re - NACIONALE

Pse ia fut kot kaq shumë Lluni? Ledri absolutisht e shkatërron në këngën e re

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ledri Vula ka qenë definitivisht udhëheqës i muzikës së autobusëve tash e një kohë, dhe jo në kuptimin pozitiv të fjalës, teksa kishte filluar të më bindte se thjesht nuk di më të thotë asgjë të mençur, për të më demantuar fuqishëm në këngën e re me Llunin, ‘Narcos Albania’.

Pavarësisht titullit tejet të shkelur nga rrota e historisë për nga trendi aktual, performanca impresive e zotit Vula vetëm sa e bën edhe më tragjike situatën. Ai e dëshmoi se e di që muzika që ka qenë duke e bërë kohëve të fundit është absolutisht e tmerrshme por, siç e thotë edhe vet: “Futja k**in artit, kur dollart bin prej naltit”.

Imagjinoni t’i mëshoni shqelm një talenti të rrallë me të cilin jeni bekuar nga një fuqi e panjohur, për t’u shndërruar në rob të një formati këmbimi siç është paraja – trishtim në vete.

Ledri absolutisht lë në hije atë që për shumëkë konsiderohej si “shpëtimtari i hip-hopit të mirëfilltë” (goxha irritues si term), asnjëherë për mua. Lluni asnjëherë nuk më ka dhënë atë bindjen, falë edhe jo konsistencës, për t’i mbajtur sytë e për të shpresuar shumë në të. E kuptoj zhrumën rreth tij që vjen si rrjedhojë e lojës së fjalëve, e cila kur analizohet në thelb realisht nuk është se përmban diçka njëmend domethënëse – janë thjesht një grumbull fjalësh të thëna shpejt dhe të hedhura në një këngë, me ndonjë rresht aty-këtu që mund të tingëllojë pak më i mençur se tjetri – asnjëherë dinjitozë për t’i dhënë epitete lartësuese, pavarësisht performancave të mira në këngët si ‘Rick Ross’, ‘Menime’, e ‘Chapter 1’.

Kështu hap strofën e tij Lluni te kënga e re:

Si 12.22.12.2012 vi mi hjekë,

Cunami raketë, punanin e pjekë

Habla espanol, muerta ki me vdekë

Audi 80, 4 vetë, me TT-ja jena 8

Në rregull, tash po themi data të rëndomta të cilat mund të ndërlidhen me diçka që dikur apo diku ai mund të ketë lexuar dhe tash qartazi mendon se është ide e mirë ta përdorë si pikë referente në një këngë me Ledrin për të kamufluar masën se këto vargje janë kumeditë sa të mençura, apo të ndonjë impakti e rëndësie të veçantë.

Jo, janë thjesht ca fjalë që rimojnë me njëra-tjetrën e që interpretohen shpejt për të intriguar një audiencë të caktuar, e cila ende mund të besojë se të bërit rep shpejt nënkupton se reperi apo kënga është e mirë.

Vazhdimi i pjesës së tij:

Unë jom blanco puta

Unë nuk foli batuta

Unë jom blanco puta

E me bo me folë për mu, hi brutal bruda

Kaq shumë sekonda e rreshta të kaluar, absolutisht asgjë e mençur apo ‘slick’ e thënë.

Tutje, ai shton:

Me kom ngritë përmi concrete (beton)

T’u rollitë heat (në kuptimin e kyçjes) përmi Palm Trees (pemë palma)

Ngjalli nostalgji si fotografi, me ardhë n’këtë ditë, moti kom pritë

Në rregull, ‘ngjalli nostalgji si fotografi’ është e pranueshme dhe e duartrokitshme si rresht i vetëm në mesin e një grumbulli e oqeani futkotizmi.

Tutje, ai vazhdon me të njejtën tempo pa thënë asgjë monumentale, ndoshta me përjashtim të vargjeve “me kongë demo, m’thu knon demode ti”, që i referohet kritikëve e komenteve si këto që po i bëj unë këtu.

Pas dy-tre herëve pasi dëgjova këngën, instiktivisht tejkaloja me ‘skip’ pjesën e Llunit për të kaluar te minuta 1:15, kur futet në skenë Ledri.

Kështu e hap strofën e tij Vula:

Sje t’u pa telenovela, po real (të vërteta) favella

S’ki me ni zhurmë t’kitarës, nëse na prek n’tela

Tipi man della, po s’man burg si Mandella

Veç këta rreshta kanë më shumë peshë se krejt ato çka i tha Lluni për 1 minutë e 15 sekonda më lart.

Rreshti “s’ki me ni zhurmë t’kitarës, nëse na prek n’tela”, është pikërisht ajo çka dua të dëgjoj më shumë nga ai.

Tutje, te pjesa “tipi man della, po s’man burg si Mandella”, tingëllon një diss subliminal drejt pionierit të subzhanrit drill, Moss Della.

Mossi në komunitetin e hip-hopit njihet si një reper që ka pasur probleme të shumta me ligjin, pavarësisht se kjo është vënë në pikëpyetje disa herë nga reperë si Buta, derisa thuhet se - për t’i ikur kohës në burg - ka migruar drejt Belgjikës, ku gjendet aktualisht dhe se rikthimi i tij në Kosovë do të nënkuptonte arrestimin e menjëhershëm.

Mossi i referohet “dellave” (krimeve), siç e ka edhe nofkën, vazhdimisht nëpër këngët e tij, me Butën që madje në dissin e tij te ‘Gjoni Black’, i drejtohet të njejtit me vargjet: “Për 100 gram della, s’mahët burg si Mandella”.

Mossi më herët kishte përfshirë Ledrin në dissin e tij “Hijo de Puta” në drejtim të Butës, ku ishte shprehur: “Paret i nxerri vet prej gurëve e lulës, ma mirë se si ti me ia th*th Ledri Vulës”.

Andaj, është e logjikshme që vargjet e Ledrit te kënga me Llunin që i përmenda më lart, t’i jenë referuar pikërisht Mossit. Sidoqoftë, do të ishte një ‘beef’ i çuditshëm nëse këta dy përfshihen në një, marrë parasysh rrethanat dhe të kaluarat krejtësisht të ndryshme nga të cilat vinë.

Vula tutje vazhdon:

Nuk u sjellë mirë, qata mirë unë i sjella

Dokën si bredha se shumë mirë unë i pshtjella

Qaq shumë tulla G, me maru kështjella

Nuk është për të mbetur pa frymë nga impresionimi, por prapë më mirë se gjithçka e çdo gjë që tha Lluni më lart.

Ledri tutje shton:

Si n’kartel (grup kriminal i organizuar) marrë kel (lekë, në kuptimin e parave)

Edhe marr kel n’kartelë (kësaj radhe flet për kartelë banke)

Ti merr hua n’kartel (i referohet bandës kriminale)

Qata nuk shkojmë si Merkel (ish-kancelarja gjermane) me kartel (i referohet edhe këtu bandës së drogës)

Lojë tejet impresive fjalësh, më e pakta që mund të themi. Ai e bëri për mrekulli atë që u mundua por dështoi ta bënte Lluni në pjesën e tij.

Tutje vazhdon:

Ushtrinë n’shpinë, 9she n’bel

Super fuqi, Vula Marvel

N’beef matadora (vrasës), shpatat hin thellë

Kthema emrin mrapsht prapë mirë del – IRDEL (L)EDRI

Nganjëherë ai nuk merr kreditin e duhur pikërisht për shkak të këngëve tjera të tmerrshme që i bën me bollëk, duke e vulosur veten në ndërdijën e njerëzve si artist i pëgërës, i cili kalon pa u vërejtur edhe kur bën diçka të mirë. Sa i përket Llunit, është e vështirë të jepet një verdikt definitiv rreth tij... e katandisi keq punën me album duke e zvarritur deri në një pikë ku ai më thjesht e kishte të pamundur t’i përmbushte pritshmëritë, ndërsa tash projektet e tij po duken më shumë si diçka të bëra para 3-4 viteve që nuk përkojnë fare me disponimin aktual të komunitetit të hip-hopit.

Lajme të ngjashme