Zyrtari palestinez paralajmëron “krizë të mundshme” të paktit, thotë se Izraeli s’po i zbaton kushtet
Një zyrtar palestinez, i cili merret kryesisht me të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite, paralajmëroi të shtunën për një “krizë të mundshme” të marrëveshjes për lirimin e pengjeve nga Hamasi në këmbim të lirimit të të ndaluarve palestinezë nga Izraeli.
Qadura Fares, kryetar i Komisionit Palestinez për Çështje të të Ndaluarve dhe ish të Burgosurve, i tha televizioni CNN se Izraeli nuk është duke liruar të burgosur sipas sasisë së kohës që e kanë kaluar në burg.
“Ka tregues të një krize të mundshme në lidhje me listën e emrave të njoftuar nga Izraeli për shkak të dështimit të Izraelit për t’iu përmbajtur kriterit për të cilin ka pajtim rreth vjetërsisë në marrëveshje”- tha ky zyrtar.
Televizioni CNN ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët izraelitë për këtë akuzë.
Faresi e dha këtë koment në kohën kur Izraeli po përgatitet për të liruar deri në 42 të burgosur të shtunën, pas lirimit të 39 grave e adoleshentëve të premten.
Sipas marrëveshjes, Izraeli duhet të lirojë tre palestinezë nga burgjet në këmbim të secilit peng të liruar nga Gaza.
Administrata izraelite e burgjeve i ka pranuar emrat e 42 grave dhe të miturve që pritet të lirohen si pjesë e fazës së dytë të marrëveshjes, tha të shtunën një zyrtar izraelit.
Si në rastin e së premtes, procesi edhe të shtunën do të fillojë me nxjerrjen e të ndaluarve nga burgjet “Megiddo” dhe “Damon” dhe me dërgimin e tyre në burgun “Ofer”.
Pas lirimit të pengjeve izraelite nga Rripi i Gazës, të gjithë të burgosurit palestinezë do të lirohen nga burgu “Ofer” dhe do të transportohen me autobusë të Kryqit të Kuq.
