Zyrtarët amerikanë e pranojnë zhgënjimin – sanksionet ndaj Rusisë, të ngadalshme - NACIONALE

Zyrtarët amerikanë e pranojnë zhgënjimin – sanksionet ndaj Rusisë, të ngadalshme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa zyrtarë të lartë amerikanë i kanë thënë televizionit CNN se janë të zhgënjyer që sanksionet e udhëhequra nga ShBA-ja nuk kanë pasur ndikim më të madh deri më tani ndaj ekonomisë ruse dhe tash po parashikojnë që efektet më të ashpra ndoshta nuk do të vërehen deri në fillim të vitit të ardhshëm, më së afërmi.

CNN

Ishte shpresuar që sanksionet do ta ngulfatnin shpejt makinerinë ruse të luftës në Ukrainë, duke ia bërë të vështirë Kremlinit zhvillimin e përpjekjeve në fushëbetejë dhe ndoshta ta kthenin publikun rus kundër pushtimit, kur jeta e përditshme në shoqërinë ruse të bëhej jo e rehatshme, përcjell Nacionale.

Sidoqoftë, ekonomia ruse është dëshmuar shumë më e qëndrueshme sesa që kishin pritur shumë zyrtarë të administratës së presidentit Biden, kur ishin përcaktuar për ta ndëshkuar Rusinë në shkurt, kryesisht duke iu falënderuar të hyrave rekorde që Moska ka siguruar në pranverë dhe verë nga çmimet e ngritura të energjisë. Në 100 ditët e para të luftës, Rusia pati të hyra rekorde prej 93 miliardë eurosh nga eksportimi i naftës, gazit dhe thëngjillit, sipas Qendrës Finlandeze për Hulumtime rreth Energjisë dhe Ajrit të Pastër.

Prapëseprapë, ekonomia ruse u tkurr për rreth 4 për qind mes prillit dhe qershorit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, kjo shifër është shumë më e vogël se numri prej 15 për qind që ishte pritur nga disa më herët.

“Ne prisnim që gjërat si sistemi SWIFT dhe të gjitha sanksionet bllokuese ndaj bankave të Rusisë do ta dëmtonin tërësisht ekonominë ruse dhe që, në thelb, tash, që jemi në shtator, të merreshim me një Rusi ekonomikisht shumë më të dobësuar se ajo me të cilën po merremi”, tha një zyrtar i lartë amerikan, duke iu referuar vendimit të ShBA-së dhe BE-së për të shkëputur disa banka ruse nga sistemi bankar ndërkombëtar, SWIFT.

Një tjetër zyrtar i lartë amerikan pati mendim të ngjashëm, duke thënë se shumë pjesëtarë të administratës kishin shpresuar që do ta shihnin ekonominë ruse duke vuajtur më shumë në këtë periudhë, duke e marrë parasysh ashpërsinë e pashembullt të sanksioneve të bashkërenduara perëndimore.

Dallimi mes pritjeve fillestare dhe realitetit duket se e ka burimin te fakti që shumë zyrtarë amerikanë e perëndimore i kishin nënvlerësuar të ardhurat shumë të larta që Rusia do t’i kishte fillimisht nga rritja e çmimeve të naftës dhe gatishmërinë e shteteve si Kina e India për ta vazhduar blerjen e naftës ruse.

Pavarësisht se është njëra nga prodhueset më të mëdha të naftës në botë, edhe Arabia Saudite ka filluar që të blejë naftë të papërpunuar ruse – me çmim të ulur – për ta përdorur në centralet e veta të energjisë, në mënyrë që naftën e vet ta shesë në shtete të tjera, konfirmoi një zyrtar i administratës amerikane.

Kur Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt, varësia e vazhdueshme e Evropës ndaj naftës dhe gazit rus nënkuptoi që Perëndimi nuk kishte vullnet që të vendoste sanksione menjëherë kundër interesave ruse të energjisë. Shtetet e Bashkuara u vendosën sanksione shefave të bankave të mëdha ruse, si banka “Gazprombank”, por e liruan nga sanksionet vetë këtë bankë dhe e lejuan vazhdimin e pagesave të energjisë për rusët.

“Me vite para pushtimit (të Ukrainës) e kemi paralajmëruar Evropën për nevojën që të largohet nga energjia ruse dhe ata thjesht nuk kishin vullnet për ta bërë këtë derisa ishte shumë vonë”, tha njëri nga zyrtarët e lartë të ShBA-së.

Rusia tashmë po e përdor si armë eksportimin e gazit, duke e ndërprerë qarkullimin në gazsjellësin “Rrjedha Veriore 1”, ndërsa Evropa po përgatitet për recesion të mundshëm si rezultat i krizës së energjisë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme