Zelensky thotë se nuk ka marrë zotime të qarta të sigurisë nga aleatët
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se aleatët evropianë nuk i kanë dhënë atij garanci të forta se do ta mbronin vendin e tij në rast të një agresioni të ri nga Rusia.
“Po ua bëj mu këtë pyetje të gjithë partnerëve tanë dhe nuk kam marrë ende një përgjigje të qartë e pa mëdyshje” – tha ai të mërkurën para gazetarëve, raporton televizioni BBC.
Komentet e tij vijnë një ditë pasi Britania e Madhe dhe Franca nënshkruan një deklaratë synimesh rreth dislokimit të trupave në Ukrainë, nëse nënshkruhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Megjithatë, ende nuk ka pajtim për garanci të plota të sigurisë. Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë qenë duke i drejtuar përpjekjet për t’i dhënë fund agresionit rus, thuhet se nuk nënshkruan një zotim të tillë gjatë bisedimeve të së martës në Paris.
Pas bisedimeve në kryeqytetin francez, ku u përfshinë rreth 30 shtete që e formojnë atë që njihet si Koalicioni i Vullnetit, kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se vendi i tij dhe Franca do të “ndërtojnë qendra ushtarake në mbarë Ukrainën” për të frenuar ndonjë pushtim në të ardhmen, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, më vonë tha se mund të dislokoheshin mijëra trupa.
Aleatët kanë propozuar që Shtetet e Bashkuara ta marrin rolin udhëheqës në vëzhgimin e armëpushimit. Megjithatë, çështja kyçe e koncesioneve territoriale, të cilat Ukrainës po i kërkohen në raport me Rusinë si pjesë e propozimeve të paqes, është ende duke u diskutuar.
Moska ende nuk ka reagur rreth njoftimit të dhënë në kryeqytetin francez, transmeton gazeta "Nacionale".
Kryeministri britanik e përshkroi deklaratën e përbashkët të aleatëve si “pjesë jetike e zotimit tonë për të qëndruar me Ukrainën në rrafsh afatgjatë”.
Zelensky, gjithashtu, e vlerësoi lart marrëveshjen duke e quajtur “një hap i madh përpara”. Megjithatë, një ditë më pas, ai u duk më pak optimist.
“E shoh vullnetin, vullnetin politik, dhe se partnerët tanë janë gati dhe partnerët tanë janë gati për të na dhënë sanksione të forta [kundër Rusisë], garanci të forta të sigurisë, por për aq kohë sa nuk kemi garanci të tilla të sigurisë – ligjërisht të detyrueshme, të mbështetur nga kuvendet, të përkrahura nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara – kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje, dhe edhe nëse ata përgjigjen, ti prapë duhet të mbështetesh kryesisht në fuqinë tënde” – tha presidenti ukrainas.