Zelensky thotë se bisedimet me Rusinë kanë nevojë për “më shumë momentum” - NACIONALE

Zelensky thotë se bisedimet me Rusinë kanë nevojë për “më shumë momentum”

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se bisedimet e paqes me Rusinë kanë nevojë për “më shumë momentum” dhe se ai kishte kërkuar nga sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, që “ta intensifikojë pistën e bisedimeve”.

Dy runde të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë në Turqi më herët këtë vit nuk kanë prodhuar shumë rezultate, me përjashtim të një pakti për shkëmbimin e të burgosurve dhe mbetjeve të ushtarëve. Ende nuk është caktuar ndonjë datë për rund të ri bisedimesh, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ky zbatim i marrëveshjeve nga takimi i dytë i Stambollit është duke vazhduar. Ky proces ka nevojë për më shumë momentum” – shkroi presidenti ukrainas në rrjetin social X.

Rusia, e cila po e vazhdon ofensivën e saj përgjatë një pjese të madhe të frontit lindor, ka thënë disa herë se është e gatshme për një rund të ri bisedimesh, por nuk është sprapsur nga ato që Kievi dhe aleatët e tij i përshkruajnë si qëllime maksimaliste të luftës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili e ka ashpërsuar tonin kundër Rusisë në javët e fundit pas sulmeve ajrore ruse ndaj qyteteve ukrainase, këtë javë e kërcënoi Moskën me sanksione më të ashpra, nëse një marrëveshje e paqes nuk arrihet brenda 50 ditëve.

Zelensky tha më tej se gjithashtu do ta ngarkojë Umerovin – i cili deri para formatimit të Qeverisë të enjten kishte shërbyer si ministër i Mbrojtjes – që të punojë për marrëveshjet e armëve me aleatët e Kievit.

Ukraina, e cila ende varet nga partnerët perëndimorë për më shumë se gjysmën e dërgesave për fushën e betejës, po shpreson që fuqizimi i industrisë vendore të mbrojtjes do të ndihmojë në luftën kundër makinerisë luftarake ruse, e cila është më e madhe dhe më mirë e armatosur./Nacionale

Lajme të ngjashme