Zelensky ka frikë se lufta e ShBA-së me Iranin mund ta dëmtojë Ukrainën, në mendje raketat - NACIONALE

Zelensky ka frikë se lufta e ShBA-së me Iranin mund ta dëmtojë Ukrainën, në mendje raketat

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se lufta në Lindjen e Mesme mund ta lërë vendin e tij në vështirësi për t’i siguruar raketat për mbrojtje ajrore.

Ai tha gjithashtu se ka rrezik që aleatët e Ukrainës të shpërqendrohen nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe ta harrojnë nevojën e Kievit për mbrojtje nga pushtimi rus, raporton televizioni BBC.

“Ne mund ta gjejmë veten në vështirësi për t’i siguruar raketat dh armët për ta mbrojtur qiellin tonë. Amerikanët dhe aleatët e tyre në Lindjen e Mesme mund të kenë nevojë për to për ta mbrojtur veten, për shembull raketat Patriot” – i tha Zelensky gazetës italiane, “Corriere della Sera”.

Kur u pyet nëse ka rrezik që Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian ta harrojnë mbrojtjen e Ukrainës gjatë kohës kur janë të përqendruar në Lindjen e Mesme, presidenti tha: “Natyrisht, është një rrezik, por shpresoj që kriza iraniane të mbetet një operacion i kufizuar dhe të mos shndërrohet në luftë të gjatë. Ne e dimë nga dora e parë se sa e përgjakshme rrezikon të bëhet.”

Me vite, Ukraina është mësuar që të jetë në sytë e botës. Javën e kaluar, rrugën e Kievit u mbushën me udhëheqës perëndimorë për ta shënuar 4-vjetorin e fillimit të luftës së plotë të Rusisë ndaj vendit fqinj.

Irani i ka shitur Rusisë dhjetëra mijëra dronë të tipit “Shahed” që përdoren pothuajse përnatë për ta sulmuar Ukrainën. Një gjë e tillë mund të ndalet. “Mendoj se sulmi ndaj caqeve ushtarake iraniane ishte vendim i mirë. Iranianët prodhojnë shumë armë për Rusinë, sidomos dronë e raketa, edhe pse nuk mendoj se do të jenë në gjendje që ta bëjnë këtë më” – tha Zelensky.

Megjithatë, analistët thonë se Rusia tani prodhon dronë “Shahed” edhe brenda territorit të saj, pasi e ka marrë dizajnin e tyre nga Irani dhe i ka modifikuar për sulme ndaj qyteteve ukrainase.

Zelensky beson se dështimi i homologut të tij rus, Vladimir Putin, për ta mbështetur Iranin e dëshmon dobësinë e kreut të Kremlinit. “Ai flet, por nuk vepron, duke dëshmuar se është aleat i dobët i iranianëve. Njësoj siç ishte me Sirinë e Bashar Assadit” – tha presidenti ukrainas, duke iu referuar Putinit./Nacionale

Lajme të ngjashme