Vritet një kolone izraelite shtatzënë në Bregun Perëndimor, bëhen thirrje për rrafshimin e dy fshatrave palestineze
Një kolone izraelite shtatzënë në muajt e fundit u qëllua për vdekje gjatë të shtënave në Bregun e pushtuar Perëndimor të mërkurën, duke nxitur thirrje nga udhëheqësit e linjës së ashpër pro kolonëve që të rrafshohen fshatrat palestineze që ndodhen afër vendit të ngjarjes.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për të shtënat afër vendbanimit Brukhin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Ushtria izraelite ka thënë se është duke e kërkuar autorin e sulmit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se gruaja e quajtur Tzeela Gez, u qëllua me armë përderisa ndodhej në një veturë me bashkëshortin e vet, përderisa po shkonin në spital që ajo të lindte.
Mediat izraelite raportuan se zonja Gez u shpall e vdekur pas dërgimit në spital, ku foshnja e saj u lind me prerje cezariane. Raportohet se foshnja është në gjendje serioze, por stabile, ndërsa babai i saj pësoi lëndime të lehta.
Ky sulm, që ndodhi në kohën e njërit prej operacioneve më të mëdha ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor në dy dekada, nxiti reagime me zemërim nga politikanët izraelitë, të cilët thanë se qytezat palestineze Bruqin dhe az-Zawiya duhet të shkatërrohen si qytetet në Gaza.