“Vëllai im; Zoti në xhenet”: Erdogani reagon ashpër pas vrasjes së Haniyeh-ut të Hamasit - NACIONALE

“Vëllai im; Zoti në xhenet”: Erdogani reagon ashpër pas vrasjes së Haniyeh-ut të Hamasit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka dënuar ashpër vrasjen e kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran të Iranit, duke e quajtur aktin “vrasje e pabesë” dhe “vepër e neveritshme”.

“Unë e dënoj fuqishëm vrasjen e pabesë të kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran. Kjo vrasje është akt i neveritshëm me qëllim të pengimit të Kauzës Palestineze, rezistencës së lavdishme të Gazës dhe përpjekjes së drejtë të vëllezërve tanë palestinezë, dhe demoralizimin dhe frikësimin e palestinezëve” – shkroi presidenti turk në rrjetin X.

Më tej, ai premtoi përkrahje të vazhdueshme për palestinezët nga Turqia.

“Si Turqi, ne do të vazhdojmë që t’i provojmë të gjitha mjetet, t’i shtyjmë të gjitha dyert dhe t’i përkrahim vëllezërit tanë palestinezë me të gjitha mjetet tona dhe me tërë fuqinë tonë. Ne do të vazhdojmë që të punojmë për themelimin e një Shteti të Palestinës, të lirë, sovran e të pavarur, duke u mbështetur në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet të tij” – shkroi Erdogani.

Në fund, ai u lut për udhëheqësin e vrarë të Hamasit, të cilin e quajti vëlla.

“Zoti pastë mëshirë ndaj vëllait tim, Ismail Haniyeh, i cili u martirizua si rezultat u sulmit të neveritshëm. Ua shpreh ngushëllimet familjes së tij dhe vëllezërve të mi të Gazës e palestinezë dhe botës islame. Zoti të bekoftë me xhenetin dhe bukurinë e tij” – thuhet në shkrimin e presidentit turk për figurën që e kishte takuar para pak muajve.

Lajme të ngjashme