Vazhdon rritja e çmimit të naftës në bursë ndërkombëtare, më i larti në gati një vit
Çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare po vazhdon të rritet, duke iu afruar nivelit më të lartë në gati një vit.
Në bursën ndërkombëtare “Brent”, çmimi i një fuçie të naftës së papërpunuar shkoi në mbi 95 dollarë mëngjesin e së martës, duke e arritur nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit të kaluar, raporton gazeta “The Guardian”.
Shtrenjtimi i naftës po nxitet nga shqetësimi për mungesë të furnizimit pas vendimeve të marra rishtazi nga Arabia Saudite dhe Rusia për zvogëlim të prodhimit. Këtyre masave u është zgjatur afati deri në fund të këtij viti.
Në fillim të vitit 2022, një fuçi e naftës së papërpunuar shitej për më pak se 80 dollarë, para se të shkonte në rreth 130 dollarë në marsin e vitit të kaluar, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke e nxitur edhe rritjen e inflacionit.
Çmimi i naftës më pas kishte shënuar rënie, por filloi që të ngrihet përsëri nga fundi i qershorit. Shtrenjtimi i karburanteve paraqet rrezik për ta bërë inflacionin më të qëndrueshëm.
“Situata e përgjithshme është që Arabia Saudite dhe Rusia kanë kontroll të qëndrueshëm të tregut të naftës. Tregu global është ose i baraspeshuar, ose në mungesë dhe edhe nafta e papërpunuar, edhe rezervat e produkteve janë ende të ulëta. Kështu, kemi në treg të ngushtë në aspektin e furnizimeve dhe inventarëve, prandaj duhet të ketë ulje të kufizuar të çmimeve të naftës”- tha Bjarne Schieldrop, analist në SEB.