Vance e nderon Armeninë – asnjë president apo nënpresident amerikan s’e kishte vizituar më parë - NACIONALE

Vance e nderon Armeninë – asnjë president apo nënpresident amerikan s’e kishte vizituar më parë

3 javë më parë

nga NACIONALE

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, arriti të hënën në Armeni – shtet që më parë nuk ishte vizituar nga asnjë president apo nënpresident amerikan – përderisa administrata e presidentit Donald Trump ofroi mundësi ekonomike, kur po punon për të çuar përpara një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni që e ka për qëllim përfundimin e një konflikti të vjetër me dekada me Azerbajxhanin.

Vance dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, nënshkruan një marrëveshje për t’i çuar përpara bisedimet rreth një pakti për energjinë bërthamore civile dhe nënpresidenti amerikan tha se ShBA-ja është e gatshme që të eksportojë çipa të avancuar kompjuterikë e dronë vëzhgues në Armeni si dhe të investojë në infrastrukturën e vendit, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Vizita e Vances vjen pasi Pashinyani nënshkroi një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë në gusht me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ku udhëheqësit nënshkruan pakte me të cilat e ripohuan zotimin e tyre për nënshkrimin e një traktatit të paqes. Teksti i traktatit ishte nënshkruar nga ministrat e jashtëm, gjë që tregon miratim fillestar. Megjithatë, udhëheqësit nuk e kanë nënshkruar ende traktatin dhe kuvendet duhet ta ratifikojnë atë.

“Paqja nuk bëhet nga njerëzit e kujdesshëm” – tha Vance, i cili planifikon të udhëtojë në Azerbajxhan të martën. “Paqja nuk bëhet nga njerëzit që janë shumë të përqendruar tek e kaluara. Paqja bëhet nga njerëzit që janë të përqendruar tek e ardhmja” – shtoi ai.

Marrëveshja e gushtit mes dy ish-republikave sovjetike bën thirrje për ndërtimin e një korridori të rëndësishëm transiti që do të quhej Rruga Trump për Paqe dhe Mirëqenie Ndërkombëtare. Korridori pritet që ta lidhë Azerbajxhanin me enklavën autonome Nakhchivan, të ndarë mes vete me një pjesë territori armen të gjerë 32 kilometra.

Vance tha se kryeministri armen e ka mbështetjen e tij në zgjedhjet e ardhshme dhe theksoi se Armenia është në mesin e shteteve më të vjetra që janë identifikuar si të krishtera.

Në anën tjetër, Pashinyani e shprehu mirënjohjen për presidentin Trump dhe zëvendësin e tij, duke theksuar se kishte pranuar një ftesë për takimin e parë të Bordit të Paqes të Trumpit më 19 shkurt në Uashington.

Lajme të ngjashme