Vajza 11 vjeçe dhe nëna e saj vriten nga sulmi rus në Donetsk, plagosen 14 të tjerë
Një sulm ajror rus la të vrara një vajzë 11-vjeçare dhe nënën e saj, ndërsa 14 njerëz të tjerë u plagosën në pjesën e Donetskut që kontrollohet nga Ukraina, tha të martën guvernatori i këtij rajoni.
Një vajzë 7 vjeçe ishte në mesin e të plagosurve nga sulmi ndaj qytetit Sloviansk, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori Vadym Filashkin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Policia ukrainase tha se trupat e gruas dhe vajzës ishin nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese. Autoritetet publikuan fotografi të një ndërtese të bërë rrafsh dhe një person duke marrë ndihmë në një autoambulancë.
Sloviansku dhe Kramatorsku fqinj janë dy prej të ashtuquajturave “qytete fortesë” që shtrihen afër vijës së frontit dhe që shpesh kanë qenë cak i sulmeve ruse.
Rusia kërkon që Ukraina të dorëzojë 20 për qind të territorit të mbetur të rajonit të Donetskut që forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë ende me qëllim të shënimit të progresit drejt një marrëveshjeje të paqes. Ukraina refuzon një gjë të tillë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Rusia rreth sulmit të ri. Edhe Moska, edhe Kievi mohojnë se vënë në shënjestër civilë në luftën e nisur më 2022.