Ushtarëve ukrainas e rusë u del një armik i përbashkët – minjtë - NACIONALE

Ushtarëve ukrainas e rusë u del një armik i përbashkët – minjtë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Trupat ukrainase e ruse po vuajnë nga “nivele të jashtëzakonshme të përhapjes së minjve” në disa segmente të vijës së frontit, sipas inteligjencës britanike.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thotë se numri i brejtësve është rritur për shkak të temperaturave më të buta muajve të fundit e sasisë së madhe të ushqimit, raporton gazeta “The Guardian”.

“Vjeshta e butë e këtij viti, bashkë me ushqimin e bollshëm nga fushat, të lëna ugar për shkak të luftimeve, me gjasë kanë kontribuuar në rritjen e popullsisë së brejtësve”- thuhet në vlerësimin e inteligjencës britanike.

“Pasi moti është bërë më i ftohtë, kafshët me gjasë po kërkojnë strehim në automjete e në pozicione të mbrojtjes. Brejtësit do t’i shtojnë trysni të mëtejmë moralit të luftëtarëve në vijnë e frontit”- thuhet më tej në deklaratën e ministrisë britanike.

“Për më tepër, ata paraqesin rrezik ndaj pajisjeve ushtarake përmes brejtjes së kabllove – siç është shënuar në zonën e njëjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”- paralajmëruan britanikët.

“Raportime të pavërtetuara gjithashtu sugjerojnë se njësitet ruse po fillojnë të vuajnë nga rastet e shtuara të sëmundjeve, për të cilat trupat e fajësojnë problemin e përhapjes së këtyre kafshëve”- thuhet në përditësimin e ri të të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë.

Para disa ditëve, inteligjenca ushtarake ukrainase pretendoi se ushtarët rusë, të cilët ndodhen në vijën e frontit në rajonin e Kharkivit, po ballafaqohen masivisht me ethet e minjve.

Simptomat që ata i përshkruajnë përputhen me leptospirozën ose “ethet e kafshimit të minjve”, përfshirë temperaturën trupore deri në 40 gradë, dhimbjet e forta të kokës, shenjat në lëkurë, gjakderdhjen nga sytë, dështimin e veshkave, marramendjen dhe të vjellat. Sëmundja shkaktohet nga shpërfaqja ndaj urinës së kafshëve të infektuara.

Lajme të ngjashme