Ukraina thotë se trupat e saj kanë rimarrë nëntë vendbanime në Zaporizhia
Trupat ukrainase kanë rimarrë nën kontroll nëntë vendbanime në rajonin Zaporizhia nga fundi i janarit dhe po vazhdojnë me një kundërsulm përgjatë vijës së frontit në juglindje të vendit, tha të hënën Shtabi i Përgjithshëm.
Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha se gjatë muajit të fundit, për herë të parë që nga vera e vitit 2024, trupat ukrainase kanë rimarrë më shumë territor sesa që trupat ruse kanë mundur të pushtojnë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Raportet për avancime të ushtarëve ukrainas në rajonin Zaporizhia filluan pasi forcat ruse u ballafaquan me ndërprerje të terminaleve të komunikimit të shërbimit “Starlink” në fushën e betejës, pas një vendimi nga pronari i kompanisë “SpaceX”, Elon Musk, për ndërprerjen e tyre si reagim ndaj një kërkese nga Kievi në fund të janarit.
Projekti për përcaktimin e hartave të fushës së betejës, “Deep State”, tha se trupat ruse pushtuan 126 kilometra katrorë të territorit të Ukrainës në muajin shkurt, më së paku në 20 muajt e fundit.
“Ne kemi mbijetuar në këtë betejë të vështirë të dimrit” – tha Syrskyi në rrjetin “Telegram”.
Gjatë dimrit, forcat ruse i shpeshtuan sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, duke lënë miliona njerëz në të ftohtë e në errësirë. Ato gjithashtu e shtuan trysninë ndaj trupave të dërrmuara ukrainase përgjatë vijës së frontit e cila është rreth 1.200 kilometra e gjatë. Megjithatë, komandanti ukrainas thotë se ushtria e tij e mbajti veten.
Komanda e forcave sulmuese parashutiste të Ukrainës tha se kufizimet e vendosura ndaj qasjes së rusëve në shërbimin “Starlink” kanë ndikuar në vetëdijen e trupave ruse për situatën dhe e kanë penguar komunikimin e tyre në vijën e frontit.
Më tej, kjo komandë tha se puna po vazhdon në rajonin Zaporizhia për të marrë më shumë territor nën kontroll./Nacionale