Ukraina thotë se ka rimarrë nën kontroll 400 kilometra katrorë – përfshirë tetë vendbanime - NACIONALE

Ukraina thotë se ka rimarrë nën kontroll 400 kilometra katrorë – përfshirë tetë vendbanime

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka rimarrë nën kontroll 400 kilometra katrorë të territorit të saj, përfshirë tetë vendbanime, përgjatë një pjese të vijës jugore të frontit nga fundi i janarit deri më tani, tha të hënën komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi.

Fitoret e rralla në fushën e betejës në rajonin juglindor të Dnipropetrovskit vijnë si kontrast i frymës më të gjerë të avancimeve të ngadalshme të forcave ruse në vijën e frontit gjatë dy viteve e gjysmë, kur lufta po mbush katër vjet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ukraina është e interesuar që t’i dëshmojë botës, e posaçërisht presidentit amerikan, Donald Trump, se nuk është duke humbur terren në luftën kundër pushtimit rus, në kohën kur Uashingtoni po e shtyn Kievin që të pajtohet për një marrëveshje të paqes.

Në deklaratën e komandantit Syrskyi nuk u bë e qartë se sa prej territorit të rimarrë nën kontroll kishte qenë më parë në duart e rusëve dhe sa shtrihet në “zonën e hirtë”, ku asnjëra palë nuk ka kontroll të plotë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës nuk iu përgjigj një kërkese për sqarim.

Vijat e frontit në Ukrainë janë bërë gjithnjë më të paqarta për shkak të përdorimit të mijëra dronëve për çdo ditë, duke i shtyrë ushtarët që të futen nën tokë ose në mburoja të forta e duke krijuar zona ku asnjëra ushtri nuk ushtron kontroll të plotë.

Trumpi ka thënë më parë se Ukraina duhet të bëjë koncesione, pasi është në rrezik që ta humbë luftën, e cila nisi me pushtimin e plotë nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Kievi dhe aleatët evropianë kanë dalë kundër kësaj narrative, duke theksuar se Rusia ka kapur vetëm pak më shumë se 1 për qind të territorit ukrainas që nga viti 2023 dhe atë me kosto të lartë dhe se infrastruktura jetike ruse e naftës po ballafaqohet me kërcënime në rritje nga sulmet ukrainase me dronë.

Të hënën, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i çmoi fitoret “mahnitëse” territoriale të Ukrainës në muajin shkurt, duke thënë se ato dëshmojnë që rezistenca e Kievit është më efikase sesa që portretizohet shpesh./Nacionale

Lajme të ngjashme