Ukraina thotë se ka humbur tri pozicione afër qytetit strategjik, Pokrovsk
Trupat ruse shkatërruan ose kapën disa pozicione ukrainase afër qytetit lindor, Pokrovsk, tha të mërkurën ushtria ukrainase, përderisa forcat ruse po e vazhdojnë lëvizjen drejt qendrës strategjike, ku ndodhet një minierë unike e koksit.
Pas disa muajve të përshpejtimit të avancimeve drejt Pokrovskut, forcat ruse tani ndodhen vetëm tri kilometra larg periferisë jugore të qytetit, sipas kanalit ukrainas “DeepState”, i cili ofron harta të vijave të frontit duke përdorur burime të hapura, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Si rezultat i përleshjeve të zgjatura, dy prej pozicioneve tona u shkatërruan, një u humb. Tani për tani, janë duke u ndërmarrë masa për t’i rikthyer pozicionet” – tha zëdhënësi ushtarak ukrainas për frontin lindor, Nazar Voloshyn.
Rënia e Pokrovskut, qendër e rëndësishme strategjike për ushtrinë ukrainase, do ta paraqiste humbjen më të madhe ushtarake për Kievin në disa muaj. Në këtë qytet gjithashtu ndodhet një minierë që është furnizuesja e vetme vendëse e Ukrainës me koks për industrinë dikur gjigante të çelikut.
Komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha se kishte vizituar një njësi të marinës në sektorin e Pokrovskut dhe i vërejti kushtet me të cilat ballafaqohen ushtarët kundër “një armiku superior, kryesisht, në aspektin e fuqisë njerëzore”.
“Vendime jokonvencionale duhet të merren për ta shtuar qëndrueshmërinë e mbrojtjes sonë dhe për të siguruar shkatërrim më efikas të pushtuesve” – shkroi ai në rrjete sociale, pa treguar se kur e ka realizuar vizitën.
“Betejat janë jashtëzakonisht të ashpra. Pushtuesit rusë po i hedhin përpara të gjitha forcat në dispozicion, në përpjekje për të depërtuar nëpër mbrojtjet e trupave tona” – shtoi ai.
Pokrovsku shtrihet rreth 18 kilometra larg kufirit mes rajoneve ukrainase, Donetsk e Dnipropetrovsk, dhe me muaj ka qenë zonë e betejave të ashpra në luftën 33-mujore.
Në tetor dhe nëntor, ushtria ruse avancoi drejt këtij qyteti me ritmin më të shpejtë që nga muajt e hershëm të luftës, thonë analistët. Ukraina, e cila është vënë në mbrojtje që nga kundërsulmi i saj i dështuar më 2023, thotë se Rusia ka pësuar disa prej humbjeve më të mëdha të luftës deri më tani./Nacionale