U bind nga lojtarët “online” të shkonte në Rusi, 13-vjeçari ukrainas kthehet në familje pas 8 muajsh
Në janar, Dmytro, djalë 13-vjeçar ukrainas, familja e të cilit kishte ikur nga lufta dhe ishte vendosur në Finlandë, hyri në Rusi, pasi ishte bindur ta bënte këtë nga lojtarët e lojërave “online”.
I marrë në pyetje në kufi, ai më pas kaloi më shumë se tetë muaj në një shtëpi fëmijësh në Rusi para se të ribashkohej me nënën e tij në Kiev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dmytro, i cili u kthye më herët këtë muaj në Kiev bashkë me gjashtë fëmijë të tjerë, ishte njëri nga rreth 19.500 ukrainasit e rinj për të cilët zyrtarët e Ukrainës thonë se po mbahen në Rusi kundër vullnetit të tyre.
Rrëfimi i tij është i pazakonshëm për atë se pse zgjodhi të shkonte atje, edhe pse ishte nën ndikimin e njerëzve me të cilët ishte njohur përmes internetit. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se shumë fëmijë ukrainas që janë mbajtur në Rusi janë dëbuar dhe janë vënë për adoptim, por po shpresojnë se më shumë të tillë mund të rikthehen në vendin e tyre. Kremlini thotë se po i mbron ata nga konflikti.
“Pse nuk po jeton në Rusi?”
Në muajt e parë të pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Dmytro dhe anëtarë të tjerë të familjes, të cilët kërkuan që të mos identifikoheshin në mënyrë të plotë, ikën në drejtimin e vetëm ku mundnin – në Rusi – kur trupat ruse po i afroheshin qytetit bregdetar Mariupol. Grupet vullnetare më pas e ndihmuan familjen që të arrinte në Finlandë, ku gjeti strehë.
Megjithatë, Dmytro atje ndihej i huaj për shkak të kulturës dhe gjuhës tjetër. Një ditë janari, në vend se të kthehej në shtëpi nga shkolla, ai eci nëntë kilometra deri në kufirin me Rusinë, iu shmang rojave kufitare finlandeze dhe e kaloi kufirin përmes një pylli.
Kur kaloi në anën ruse të kufirit, adoleshenti ukrainas thotë se u ndalua. “Ata [rusët] m’i shtrënguan aq shumë prangat, kyçet m’u ënjtën. Ma shtypën krahun për toke me tytën e një pushke, duke mos më lejuar që të ngrihesha” – tha ukrainasi i ri.
Pas disa orëve të marrjes në pyetje, ai u dërgua në strehimoren për fëmijë në Shën Petersburg. Deri atë kohe e kishte ndërruar mendjen për të qëndruar në Rusi, por kishte shumë frikë që ta shprehte këtë mendim.
“Rusët ktheheshin dhe më pyesnin: Pse nuk të pëlqen Rusia? Pse nuk po jeton në Rusi? Pasi të mbushësh 18 vjet, mund të studiosh dhe të punosh këtu” – tha më tej djali. “Unë vetëm pajtohesha me ta dhe u thosha: Natyrisht, natyrisht, sigurisht. Vetëm doja që të shkoja në shtëpi.”
Pasi bisedoi me nënën e vet në telefonatat javore që i lejoheshin, ajo foli me zyrtarët e strehimores për tre muaj pa rezultat dhe u bëri apel avokatëve të popullit në Ukrainë e Rusi.
“Kievi dhe Moska filluan të punonin së bashku drejtpërdrejt. Falë kësaj, isha në gjendje që ta ktheja fëmijën tim në shtëpi pas tetë muajve” – tha nëna ukrainase.
I shoqëruar në një tren për në Moskë, pastaj me aeroplan për në Minsk të Bjellorusisë fqinje, djali ia doli të arrinte në Kiev, ku nëna e tij ishte kthyer nga Finlanda për t’u takuar me të./Nacionale