Turqia s’do ta lejojë kalimin e dy anijeve të dhuruara nga Britania për Ukrainën, ka një arsye - NACIONALE

Turqia s’do ta lejojë kalimin e dy anijeve të dhuruara nga Britania për Ukrainën, ka një arsye

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Turqia tha të martën se nuk do ta lejojë kalimin nëpër ujërat e saj të dy anijeve kundër minave detare, të cilat i janë dhuruar Ukrainës nga Britania e Madhe, sepse ky veprim do të shkelte një pakt ndërkombëtar rreth lundrimit në kohë lufte nëpër ngushticat e saj.

Britania tha muajin e kaluar se do t’u dhuronte forcave detare ukrainase dy anije të Forcave Detare Mbretërore kundër minave detare për t’i fuqizuar operacionet detare të Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.

Turqia, anëtare e NATO-s, i ka informuar aleatët se nuk do të lejojë që këto anije t’i shfrytëzojnë ngushticat e saj, Bosforin dhe Dardanelet, gjatë kohës së vazhdimit të luftës në Ukrainë, tha drejtoria e komunikimit e presidencës turke.

“Aleatët tanë përkatës janë njoftuar në mënyrë të duhur se anijet kundër minave, të dhuruara për Ukrainën nga Mbretëria e Bashkuar, nuk do të lejohen që të kalojnë nëpër Ngushticat Turke drejt Detit të Zi për aq gjatë sa lufta vazhdon”- thuhet në një deklaratë të drejtorisë së komunikimit, të publikuar në rrjetin X.

Kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Turqia e aktivizoi Konventën e Montreux-it të vitit 1936, duke e bllokuar kalimin e anijeve luftarake të palëve ndërluftuese.

Nga ky ndalim përjashtohen anijet që kthehen në bazat e tyre, por as Rusia, as Ukraina nuk kanë shprehur synime për t’i lëvizur luftanijet e tyre nëpër ngushticat turke drejt Detit të Zi që nga fillimi i luftës.

Me fillimin e luftës, Turqia i kishte paralajmëruar edhe shtetet që s’kanë dalje në Detin e Zi që të mos dërgonin luftanije nëpër ngushticat e saj.

Sipas Konventës së Motreux-it, luftanijet e palëve joluftuese mund të kalojnë nëpër ngushticat turke në kohë lufte, por në dokument theksohet, gjithashtu, se Ankaraja e ka fjalën e fundit për kalimin e të gjitha luftanijeve, nëse Turqia e konsideron veten në rrezik për t’u tërhequr në konflikt.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme