Turpi i Ukrainës: Hulumtimi zbulon se çmimet për ushqimin e ushtrisë janë shumë më të larta se ato të tregut - NACIONALE

Turpi i Ukrainës: Hulumtimi zbulon se çmimet për ushqimin e ushtrisë janë shumë më të larta se ato të tregut

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rreth dy muaj pas një skandali të profilit të lartë për çmimet e ushqimit për ushtarët ukrainas, i cili e testoi luftën e autoriteteve kundër korrupsionit, një program i Radios “Evropa e Lirë” ka zbuluar se të paktën katër kontraktorë shtesë e ngarkojnë Ministrinë e Mbrojtjes me çmime më të larta se ato të tregut për prodhime kyçe ushqimore për ushtarët.

Rezultatet e hulumtimit nga “Schemes”, njësi hulumtuese e Shërbimit Ukrainas të REL-it, janë të mbështetura në kontratat e vitit 2023 me kompanitë, të cilat e kanë vlerën e rreth 1 miliard e 140 milionë dollarëve. Hulumtuesit i kanë siguruar kontratat nga disa burime që kanë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes. Të gjitha, përpos dy kontratave, nuk ishin publike më parë, raporton REL-i.

Çmimet me të cilat furnizuesit janë të përgatitur që t’i furnizojnë forcat e armatosura me patate, mollë, lakra dhe vezë, për shembull, shpesh sillen mes dy deri në trefrish mbi nivelin e çmimeve të blerjes të raportuara te zyrtarët e taksave në dhjetorin e vitit 2022 dhe në janarin e këtij viti, sipas dokumenteve të Shërbimit Shtetëror të Taksave. Të dhënat e plota të taksave ishin në dispozicion për pesë nga tetë kontraktorët e ushqimit.

Qeveria ukrainase, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe përkrahësve të tjerë perëndimorë për ta luftuar korrupsionin, pretendon se nuk kanë ndodhur parregullsi. Megjithatë, problemi i çmimeve mbetet.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit të kaluar, kontratat e ushtrisë ukrainase nuk janë publikuar dhe emrat e kontraktorëve janë mbajtur të klasifikuar.

Vezët janë në qendër të skandalit të blerjes së ushqimit në janar. Pretendimi i ministrit të Mbrojtjes, Reznikov, se një gabim teknik kishte çuar te vendosja e çmimit prej 0,46 dollari për një vezë e jo për një kilogram, siç do të duhej, u bë bazë për tallje në rrjete sociale.

Kompania “Aktyv” e ndryshoi listën e çmimeve dhe tani për një vezë kërkon 9 hrivnias, me zbritje prej 47 për qind. Sidoqoftë, tabela e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes tregon që çmimi prapë është për 64 për qind mbi çmimin e blerjes që është raportuar te Shërbimi Shtetëror i Taksave nga dhjetori deri në janar.

Blerja e patateve është njëri ndër treguesit e teprimit të mundshëm të shpenzimeve nga Ministria e Mbrojtjes. Para skandalit, çmimet e furnitorëve ishin nga 0,48 deri në 0,73 dollar për kilogram. Pas rishikimit të çmimeve, një furnizues nuk e ndryshoi fare çmimin, ndërsa katër të tjerë i ulën ato për 29 deri në 38 për qind.

Megjithatë, dokumentet e taksave tregojnë se, edhe pas rishikimit të çmimeve, çmimet me të cilat katër nga pesë kontraktorët i shesin patate ushtrisë janë për 40 deri në 50 për qind më të larta se çmimet e blerjes, të raportuara në Shërbimin Shtetëror të Taksave në dhjetor dhe janar.

Çmimet e rishikuara janë dy herë më të larta se çmimet mesatare të tregut, duke u mbështetur në rishikimin e çmimeve nga programi “Schemes” në Kiev në më shumë se pesë zinxhirë kombëtarë të dyqaneve.

“Schemes” u dërgoi pyetje pesë kontraktorëve të përmendur në hulumtim për të shpjeguar se si i kanë vendosur çmimet për forcat e armatosura dhe si i llogaritin kostot që mund të ndikojnë në ato çmime.

Drejtori i kompanisë “Aktyv”, Valeriy Melesh, çmimet e larta për Ministrinë e Mbrojtjes ua atribuoi nevojës së kompanisë për të paguar për karburante për shpërndarjen e ushqimit në shumë vende, magazinimit të produkteve dhe rrogave për punëtorët. Ai tha se kompania i uli çmimet në shkurt, pasi edhe çmimi i blerjes kishte rënë.

Lajme të ngjashme