Trumpi zgjedh një gjeneral në pension si emisar për luftën në Ukrainë, jo Grenellin
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka zgjedhur gjeneralin e pensionuar, Keith Kellogg, i cili i ka ofruar një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të shërbyer si emisar i posaçëm amerikan për këtë konflikt, njoftoi të mërkurën vetë Trumpi në rrjetin “Truth Social”.
Kellogg, i cili ka qenë shef i stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit si president dhe këshilltar për siguri kombëtare i nënpresidentit të atëhershëm, Mike Pence, me gjasë do të luajë rol qendror në përpjekjet për ta zgjidhur konfliktin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përderisa tani për tani nuk ekziston ndonjë emisar i posaçëm amerikan për luftën në Ukrainë, Trumpi privatisht e ka shprehur interesimin për ta formuar këtë pozitë.
Përfundimi i shpejtë i luftës në Ukrainë ishte njëri nga premtimet kryesore të Trumpit gjatë fushatës, edhe pse ai nuk ka treguar se si do ta arrijë këtë.
“Keith ka drejtuar një karrierë të dalluar në ushtri e biznes, përfshirë shërbimin në role shumë të ndjeshme të Sigurisë Kombëtare në administratën time të parë” – shkroi Trumpi në rrjetin e tij social.
Javën e kaluar, agjencia “Reuters”, duke cituar katër burime, kishte raportuar se Trumpi po e shqyrtonte për emisar të posaçëm për luftën në Ukrainë ish-emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Gazeta “Nacionale” e kishte publikuar këtë artikull, të përkthyer në gjuhën shqipe.