Trumpi thotë se ShBA-ja ka plan për t’ia shkatërruar të gjitha urat Iranit për 4 orë, nëse s’ka marrëveshje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se vendi i tij ka një plan për të hedhur në erë secilën urë dhe secilën qendër energjetike në Iran brenda katër orësh të martën në mbrëmje, nëse Teherani nuk dorëzohet para kërkesave të tij.
“Ne kemi një plan... ku secila urë në Iran do të shkatërrohet deri në orën 12 nesër në mbrëmje, ku secili central elektrik do të jetë jashtë funksionit, duke u djegur, duke shpërthyer dhe për të mos u përdorur kurrë më, dua të them, shkatërrim i plotë, deri në orën 12, dhe kjo do të ndodhë për një periudhë prej katër orësh, nëse ne duam që kjo të ndodhë. Ne nuk e duam këtë” – tha presidenti amerikan, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Ai gjithashtu tha se Irani nuk i ka marrë seriozisht fjalët e tij në të kaluarën, duke e nxitur që ta urdhëronte shkatërrimin e urës më të madhe të Teheranit javën e kaluar, disa minuta pas dështimit të bisedimeve.
“A dua që ta shkatërroj infrastrukturën e tyre. Jo. Do t’u nevojiteshin 100 vjet për rindërtim. Nëse ne do të largoheshim sot, atyre do t’u duheshin 20 vjet për ta rindërtuar vendin e tyre... dhe mënyra e vetme në të cilën ata do të jenë në gjendje që ta rindërtojnë vendin e tyre është që ta shfrytëzojnë gjenialitetin e Shteteve të Bashkuara” – tha më tej presidenti amerikan.
Kur u pyet nëse do ta pranonte vendosjen e taksave nga Irani në Ngushticën e Hormuzit, nëse Teherani e rihap këtë rrugë detare, Trumpi la të kuptohej se mund të jetë ShBA-ja ajo që vë taksa të tilla.
“Pse s’duhet ta bëjmë ne? Ne jemi fituesit. Ne fituam. Ata janë ushtarakisht të mposhtur” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, ai më vonë u duk sikur u spraps nga kjo ide.
“Duhet të kemi një marrëveshje që është e pranueshme për mua dhe pjesë e marrëveshjes do të jenë që ne duam trafik të lirë të naftës dhe gjithçkaje tjetër” – tha Trumpi./Nacionale