Trumpi thotë se Kuba “do të bjerë goxha shpejt”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i tha televizionit CNN përmes një interviste telefonike se Kuba “do të bjerë goxha shpejt”.
Këto fjalë vijnë pas një komenti tjetër të presidentit amerikan të enjten në Shtëpinë e Bardhë, kur tha se Kuba dëshiron “fort që të bëjë një marrëveshje”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Kuba po ballafaqohet me tkurrje të rezervave të naftës pas një sulmi amerikan në Venezuelë në janar si dhe me pakësim të dërgesave të karburanteve nga jashtë.
Më vonë atë muaj, Trumpi kërcënoi me vendosje të taksave ndaj cilitdo shtet që e furnizon ose i shet Kubës naftë. Tani, gjysma e vendit po përballet me ndërprerje të rrymës.
Duke folur me gazetaren e televizionit CNN, Dana Bash, Trumpi tha se në krye të operacionit do ta vendosë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, prindërit e të cilit ishin larguar nga Kuba gjatë regjimit të Batistës.
“Kemi kohë të mjaftueshme, por Kuba është gati – pas 50 vjetëve” – shtoi Trumpi.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe unë do ta vendos Marcon [Rubion] atje dhe do të shohim se si shpaloset kjo. Jemi vërtet të përqendruar në këtë tani për tani” – tha më tej kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“E kam shikuar atë [Kubën] për 50 vjet dhe ajo ka rënë mu në prehrin tim për shkakun tim, është e rënë, megjithatë ka rënë mu në prehër dhe ne po ia dalim shumë mirë” – deklaroi presidenti amerikan.
Një ditë më parë, ai tha në Shtëpinë e Bardhë se është vetëm “çështje kohe” para se kubanët amerikanë të mund të kthehen në atdheun e tyre./Nacionale