Trumpi thotë se Kina do të ofrojë minerale të rralla, studentët kinezë do të lejohen në ShBA
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se marrëveshja e vendit të tij me Kinën është punë e kryer dhe se Pekini do të ofrojë magnete dhe minerale të rralla, ndërsa Uashingtoni do t’i lejojë studentët kinezë në kolegjet dhe universitetet amerikane.
“Ne do të sigurojmë gjithsej 55 për qind taksa, Kina do të sigurojë 10 për qind. Marrëdhënia është e shkëlqyeshme!” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”, pa dhënë hollësi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se marrëveshja e lejon ShBA-në që të vendosë taksë prej 55 për qind ndaj mallrave të importuara kineze. Këtu përfshihet një taksë “reciproke” prej 10 për qind, një taksë 20 për qind për trafikimin e fentanilit dhe një taksë prej 25 për qind që i pasqyron taksat që kanë ekzistuar më parë. Kina do të vendosë një taksë prej 10 për qind ndaj importeve amerikane, tha më tej zyrtari.
Trumpi tha se marrëveshja është subjekt i miratimit përfundimtar nga ai dhe homologu kinez, Xi Jinping.
Të martën, zyrtarët amerikanë dhe kinezë thanë se kishin arritur marrëveshje për ta kthyer në binarë “armëpushimin” tregtar mes dy vendeve dhe për t’i larguar kufizimet e Kinës ndaj eksportimit të mineraleve të rralla, ndërsa dhanë pak shenja për një zgjidhje të qëndrueshme të tensioneve të vjetra tregtare.
Në fund të bisedimeve intensive dyditore në Londër, sekretari i Tregtisë i ShBA-së, Howard Lutnick, iu tha gazetarëve se marrëveshja kornizë e vendos “mishin në eshtra” të një marrëveshjeje të arritur muajin e kaluar në Gjenevë për lehtësimin e taksave reciproke hakmarrëse, të cilat kishin arritur në numra treshifrorë./Nacionale